E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Biznesi i makinave, shqiptarët nuk duan t’ia dinë nga kriza



Ervin KOÇI

Blerja por dhe mbajtja e një makine për shqiptarët nuk konceptohet akoma si një mjet pune, por si domosdoshmëri. Në këtë përfundim ka dalë Instituti i Statistikave, i cili pas një studimi të bërë për këtë qëllim ka dalë në konstatimin se, automjeti konceptohet jo vetëm si një send i domosdoshëm, por hera-herës edhe si një objekt pa të cilin dikush “nuk mund të jetojë”. Sipas vëzhgimit të INSTAT-it del që, shqiptarët nuk kursejnë te makinat edhe në kohë të vështira financiare, madje riparojnë dhe mirëmbajnë edhe të vjetrat. “Jo vetëm tregtia, por dhe riparimi i automjeteve është një ndër bizneset që lulëzon në Shqipëri edhe në këtë kohë krize ku shpenzimet e njerëzve janë reduktuar vetëm te domosdoshmëritë”,- thuhet në raportin e INSTAT-it. Më tej INSTAT-i ka konstatuar se gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti, indeksi i volumit të shitjeve me pakicë në grupin tregtia dhe riparimi i automjeteve është rritur me 25.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa kundrejt tremujorit të mëparshëm është shënuar një rritje prej 12.2 për qind. INSTAT ka evidentuar gjithashtu se në rritje janë edhe shpenzimet që bëjnë qytetarët për karburantet, kjo pavarësisht shtrenjtimit të çmimeve të naftës dhe benzinës. Kështu gjatë 3 mujorit të parë të 2010-ës indeksi i volumit të shitjeve në grupi tregtia me pakicë e karburanteve është rritur 17.1 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2009. Zhvillimi i biznesit të tregtisë dhe riparimit të automjeteve është shoqëruar edhe me hapje të vendeve të reja të punës në këtë degë të ekonomisë. Shpenzimet për automjetet pritet të pësojnë rritje të mëtejshme gjatë muajve të verës për shkak të turistëve por edhe të kthimit në atdhe të emigrantëve për pushime.

Tregtia me pakicë
Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë të këtij viti është 164.8 për qind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 5.7 për qind dhe me tremujorin paraardhës indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 7.8 për qind. Të dhënat e publikuara tregojnë se shitjet me pakicë, pavarësisht se në nivele më të ulëta krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2009 për shkak të efektit të zakonshëm sezonal, janë rritur me bazë vjetore. Në grupin e artikujve ushqimore të tregtuara në njësitë e specializuara, përfshi pijet dhe duhanin, një nga treguesit më të rëndësishëm të konsumit, vërehet një rritje e indeksit me 1.8 për qind krahasuar me një vit më parë. Në grupin, “Artikuj te përzier kryesisht jo ushqimor në njësi tregtare jo të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 16.7 për qind në këtë tremujor krahasuar me tremujorin paraardhës. Për të njëjtat produkte, të tregtuara në njësitë jo të specializuara, INSTAT raporton rënie të indeksit të volumit të shitjeve me pakicë me afro 20 për qind. Kontributin më të madh në rritjen vjetore duket se e ka dhënë rritja e shitjeve në grupin e pajisjeve shtëpiake, që njohën një rritje vjetore me afro 32 për qind, ndërsa grupi i veshjeve dhe këpucëve pati një rritje vjetore të shitjeve me rreth 4 për qind. Indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në tremujorin e parë të këtij viti arriti 167.8 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky indeks është ulur 2.9 për qind.

Çmimet e prodhimit
Në tre mujorin e parë të vitit 2010, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 108.5 për qind (Viti 2005 = 100), duke shënuar një ulje prej 1.4 për qind kundrejt tremujorit të katërt 2009. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit është -0.2 për qind. Industria Nxjerrëse shënoi një rritje prej 6.3 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të produkteve në aktivitetet “Nxjerrja e produkteve energjetike” me 10.6 për qind. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në degën “Industri Përpunuese” shënoi rritje me 1.7 për qind. Brenda saj mund të përmendim rritjen e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: ”Industria ushqimore” me 0.3 për qind, ”Industria tekstile” me 3.5 për qind, ”Metalurgjia dhe përpunimi i metaleve” me 4.6 për qind. Ndërsa çmimet e prodhimit në aktivitetet e tjera si: “Industria kimike”, ”Fabrikimi i pajisjeve elektrike dhe elektronike” kanë shënuar ulje përkatësisht me 0.2 për qind dhe 0.7 për qind. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 105.5 për qind duke shënuar një ulje prej 3 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2009. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve në degët “Industri nxjerrëse” prej 6.6 për qind dhe ”Industri përpunuese” prej 1.2 për qind. Indeksi i Çmimeve të Eksportit (viti 2005 = 100) arriti 117.7 për qind duke shënuar një rritje prej 2.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të produkteve në degën: ” Industri përpunuese” me 2.3 për qind.

Ligji i ri, kontroll fondeve publike

Përdorimi i fondeve publike dhe përgjegjësia për këtë do të jenë të mirëpërcaktuara me një ligj të veçantë. Komisioni parlamentar i ekonomisë ka marrë në shqyrtim ligjin për menaxhimin e fondeve publike, pjesë e paketës së rekomandimeve evropiane për përafrimin e legjislacionit në aspektin financiar. Pak ditë më parë në komision ka kaluar ligji i inspektimit financiar i cili është i lidhur ngushtë me këtë ligj. Ligji i menaxhimit të fondeve publike është një rekomandim që BE u bën të gjithë vendeve që synojnë anëtarësimin. Me të synohet të përcaktohet qartë ndarja dhe menaxhimi i fondeve publike, dhe në të njëjtën kohë përcaktohet me ligj edhe piramida e përgjegjësisë për përdorimin e këtyre fondeve. Ky ligj që ka nisur procedurën parlamentare të miratimit zëvendëson një ligj të vitit 1989.

29 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›