Topalli në Japoni, takime me krerët vendorë të Miagit

Jozefina Topalli me zv.guvernatorin e prefekturës së Miagit, Masahiro Wako
Kryeparlamentarja Topalli e ka nisur vizitën e saj në Japoni me një takim me zv.guvernatorin e prefekturës së Miagit, zona që u godit vitin e kaluar nga tërmeti shkatërrues dhe cunami që u mori jetën mbi 250 mijë njerëzve. Në takimin me zv.guvernatorin Masahiro Wako, Topalli shprehu interesin për shkëmbime vizitash mes dy vendeve, si në nivelin politik, atë parlamentar, biznesin etj. Ky vit është i veçantë për marrëdhëniet mes vendeve tona, pasi shënohen 90-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, njëherazi një vit i veçantë pasi Shqipëria kremton 100-vjetorin e pavarësisë së saj, citohet kryetarja e Kuvendit në faqen zyrtare të këtij institucioni.Bashkëpunimi ekonomik, ishte një temë e rëndësishme ku dy personalitetet u ndalën gjatë takimit. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si të domosdoshme ngritjen e urave të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si bujqësia, turizmi etj, ndërsa zv.guvernatori i Miagit shprehu interesin e qytetit të tij për intensifikimin e marrëdhënieve me Shqipërinë ndërsa pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Gjithashtu Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Japonia ka dhënë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Kryeparlamentarja shqiptare është pritur në një takim nga kryetarja e Bashkisë së Sendait, Emiko Okujama si dhe ka vizituar edhe zonën e dëmtuar nga tërmeti i 11 marsit të vitit 2011, në Higashi Matsushima ku ritheksoi se autoritetet por dhe vetë njerëzit me një punë të palodhur kanë bërë që zona ti kthehet normalitetit.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, kryetarja e Kuvendit do të jetë në Tokio, ku do të pritet në takim nga homologu i saj, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi. / G.N.