E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat “thajnë” valutën nga vendi, largojnë 12.5 milionë euro fitime



Ervin KOÇI

Bankat private kanë nisur ta boshatisin tregun shqiptar nga valuta e akumuluar në një vit, duke i transferuar fitimet e tyre jashtë vendit. Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të hequr kufizimet në transferimin e fitimeve të filialeve dhe degëve të bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri, duket se i dha efektet e para në prill. Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se minimalisht 12.5 milionë euro fitime u transferuan në muajin prill nga Shqipëria në drejtim të vendeve të origjinës së kapitalit. Në fund të muajit mars, sistemi bankar kishte 87.6 miliardë lekë kapitale të veta, por në prill, kapitalet u ulën në 86 miliardë, ose duke u pakësuar me afërsisht 1.7 miliardë lekë. Në periudhën janar-prill të këtij viti, sistemi bankar realizoi fitime të përgjithshme prej 2.3 miliardë lekësh, gjë që shënon një kthim në normalitet. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bankat patën realizuar humbje prej 869 milionë lekësh. Norma e kthimit nga kapitali i investuar në prill ishte 7.9 për qind, ndërsa norma e kthimit mbi asetet ishte 0.7 për qind. Para krizës botërore, bankat arritën të realizonin fitime deri në masën 20 për qind në vit, por vitin e kaluar, ato u përballën me rritje të shpenzimeve si pasojë e shtimit të shpejtë të kredive të këqija dhe e kreditorëve të parregullt. Për të parandaluar ndonjë problem të mundshëm, BSH-ja vendosi ndalimin e shpërndarjes së fitimeve të sistemit në janar të vitit 2009. Kjo masë ekstreme rezultoi e panevojshme në fund të vitit të kaluar, kur u pa se bankat dolën me fitime pavarësisht problemeve të shkaktuara nga kriza. Këtë vit, BSH e hoqi ndalimin për transferimin e fitimeve. Shuma e fitimeve të transferuara në prill përbën vetëm 2 për qind të kapitaleve të investuara në tregun bankar shqiptar.

Pasojat
Largimi i fitimeve të bankave tregtare (dividentit), jashtë tregut shqiptar, pritet që të sjellë jo pak pasoja për ekonominë e brishtë shqiptare. Ky transferim apo largim i një sasie jo të vogël valute, nga bankat private, do të shkaktojë menjëherë një uri për valutë në tregun vendas, i cili prej një viti nuk po e merr veten nga pakësimi i hyrjeve valutore, të cilat janë pakësuar pas rënies së remitancave. Uria për valutë pritet të sjellë automatikisht një rritje artificiale të vlerës së valutës në tregun vendas, si dhe një zhvlerësim të fortë të monedhës vendase lekut. Kjo do të bëjë që në vend çdo gjë të shtrenjtohej më shumë nga sa është aktualisht, duke pasur parasysh edhe nisjen e sezonin veror. Duke nisur që nga përqindjet e interesave të kredive bankare në valutë, çmimet e ndërtimit të cilat vlerësohen në euro, çmimet e lënëve të para, të karburanteve, e deri tek artikujt ushqimorë, çdo gjë që blihet me euro ose në përgjithësi me valutë do të kushtojë më shtrenjtë për konsumatorin vendas. Një pasojë e tillë ka gjasa që të ndodhë edhe për faktin se, në disa vende, bankat e të cilave kanë filiale edhe në Shqipëri, kriza ekonomike dhe ajo bankare u është ulur këmbëkryq.

Raporti kredi-depozita
Kjo gjendje pasqyrohet edhe në të dhënat e fundit zyrtare të BSH-së për sa i përket ecurisë së kredisë dhe depozitave. Sipas Bankës Qendrore, krahasuar me janarin e vitit të shkuar, depozitat e shqiptarëve në banka kanë pësuar një rritje me rreth 60 miliardë lekë. Ashtu siç ndodh gjithnjë, rritja më e lartë është shënuar përgjatë muajve gusht-shtator që përkojnë edhe me periudhën e kthimit të emigrantëve. Krahasuar me muajin korrik, muaji gusht ka njohur një rritje të nivelit të depozitave me miliardë lekë. Një rritje paksa më të moderuar kanë njohur kreditë. Gjatë periudhës janar-prill 2010 shuma totale e kredive të lëshuara nga bankat arriti në 445 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, vërehet një rritje me 42 miliardë lekë. Rritja e nivelit të depozitave dhe kredive mësohet të jetë edhe arsyeja që Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së ka lejuar bankat e nivelit të dytë të mund të dërgojnë valutë tek bankat mëma. Nga ana tjetër, Guvernatori Fullani, u ka kërkuar bankave të kreditojnë më shumë ekonominë e Shqiptare. Aq më shumë kur të dhënat më të fundit raportojnë për një shtrëngim të mëtejshëm të kushteve të kredisë për individë dhe biznese.

BSH rregullore për mbikëqyrje për institucionet financiare jobankare

Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të veçantë për administrimin e rrezikut nga institucionet financiare jobankare. Rregullorja vendos kriteret për nivelin e kapitalizimit dhe për kontrollin e kredive me probleme, për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë financiare të institucioneve financiare jo banka. Ajo përcakton se këto institucione duhet të kenë një kapital aksioner jo më pak se 100% e shumës së kredive me probleme. Raporti i kredive me probleme me totalin e kredive nuk duhet të jetë më shumë se 10%. Klasifikimi i kredive me probleme do të bëhet sipas të njëjtave afate dhe rregullave të llogaritjes së fondeve rezervë për humbjet nga kreditë që ekzistojnë edhe për bankat. Ekspozimi ndaj një personi ose grupi personash të lidhur nuk mund të tejkalojë 15% të kapitalit të subjektit, ndërkohë që investimi në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare nuk mund të jetë më shumë se 5% e kapitalit aksioner. Gjatë viteve të fundit në tregun financiar shqiptar, veç bankave, kanë nisur të zhvillohen edhe institucione të tjera financiare, si shoqëritë e mikro-kredisë, ato të kursim-kreditit apo të qirasë financiare. Rregullorja e re mbyll disa boshllëqe që ekzistonin në mbikëqyrjen e këtyre institucioneve.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›