Reparacionet, si na privuan miqësinë me gjermanët për 50 vjet
Ferdinand Dervishi
“Ne bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”. Në rreth 50 vjet tratativa të shqiptarëve me përfaqësuesit e shtetit gjerman për të mundësuar marrjen e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore, shprehja e mësipërme mund të vihet si një epitaf mbi varrin e rezultatit. Sepse diplomacia e brishtë dhe e dogmatizuar nga politika e kohës, jo vetëm që nuk arriti të sillte në vendin e vet reparacionet e Luftës, por edhe mbajti larg Gjermaninë si superfuqi ekonomike evropiane duke pamundësuar në infinit pikësëpari lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Ky është pak a shumë thelbi i analizës që i ka bërë marrëdhënieve shqiptaro-gjermane të kohës së diktaturës në librin e vet të sapobotuar “Diplomaci pas Lufte”, ish-ambasadori dhe njëkohësisht studiuesi i njohur i historisë, Profesor Ksenofon Krisafi*. Në pjesën e dytë të librit kushtuar pikërisht reparacioneve të Luftës nga Gjermania diplomati i njohur, me mjeshtërinë e një studiuesi të sprovuar, nuk është mjaftuar vetëm me renditjen e fakteve dhe shifrave historike, shumica e të cilave botohen për herë të parë, por në fund, mesa duket me i qartë se askush tjetër për të bërë një bilanc, shkon tek sarkazma e thellë e përdorimit të shprehjes së Enver Hoxhës, e njohur nga të gjithë shqiptarët për përzierjen e barit me parimet si zgjidhje e problemeve të ushqimit propagandistik.
Është e mjaftë një bisedë VIP e realizuar më 19 maj 1986 në Tiranë, për të pasur një pamje të qartë të gjithë sa ka ndodhur mes shqiptarëve dhe gjermanëve federalë përgjatë të gjithë periudhës më shumë se 50-vjeçare të komunizmit. Një bisedë e pazakontë mes dy përfaqësuesve të dy shteteve pa marrëdhënie e seli diplomatike, ku ish-kryeministri shqiptar Adil Çarçani, vendosur përballë ish-kryeministrit të Landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus, për shkak të politikës dogmatike komuniste i bie me shkelm të mirës, që u kishte trokitur në derë të gjithë shqiptarëve. Duke ecur sipas së njëjtës linje politike dhe duke këmbëngulur në mënyrë bajate për të shtënë në duar thërrimet e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët i thonë “jo” bashkëpunimit ekonomik me superfuqinë industriale evropiane. Dhe sipas Profesor Krisafit, këtë e bëjnë duke tundur në ajër Kushtetutën dhe nenin e saj famëkeq të mospranimit të kredive të huaja, duke e detyruar, mikun e deklaruar dhe këmbëngulës të shqiptarëve, të shprehë keqardhje e të largohet pa e kthyer kokën pas. Njëkohësisht refuzimi i ndihmës ekonomike gjermane në një kohë që sistemi diktatorial në Shqipëri ishte në grahmat e fundit, hodhi në erë edhe mundësinë e fundit për të çuar në favor të shqiptarëve dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania. Një maratonë diplomatike e shtrirë në pesë dekada, të cilën studiuesi dhe historiani i njohur Ksenofon Krisafi e ka sjellë si të gjallë në librin e tij.
Dëmet nga Gjermania
Sipas punimit të Profesor Krisafit, krahasuar me dëmet që kishin autorësinë e pushtuesve italianë, edhe dëmet e zëvendësuesve gjermanë në territorin shqiptar nuk ishin më të pakta. Madje, veprimet e tyre konsideroheshin edhe më të egra dhe çnjerëzore. Gjermanët dogjën e plaçkitën kudo, terrorizuan dhe pushkatuan pa e vrarë mendjen, rrëmbyen të mira materiale, internuan dhe lanë të vdisnin shumë kundërshtarë. Sipas përllogaritjeve më të fundit të ekspertëve shqiptarë, atyre të vitit 1975, thuhet se gjermanët kishin vrarë rreth 17,800 shqiptarë nga gjithsej 28 mijë viktima që shkaktoi Lufta e Dytë. Sipas të njëjtave statistika, gjermanët shkaktuan 7,800 të plagosur e të gjymtuar nga 12,600 që ishin gjithsej dhe 3,350 të burgosur dhe të internuar nga 12,500 gjithsej. Vetëm në kampet e përqendrimit të Mathausenit e Dakaut është deklaruar se humbën jetën 3 mijë bashkëkombës. Në Konferencën e Paqes të zhvilluar në Paris më 1946, përfaqësuesi shqiptar kishte paraqitur listën e dëmeve të shkaktuara nga okupimi gjerman në shifrën 4 miliardë franga ari, ose 1.26 miliardë USD sipas kursit të këmbimit të valutës në vitin 1938. Ashtu si edhe me Italinë, humbja e tregtarëve shqiptarë nga mallrat e paguara, por të palëvruara nga Gjermania kapte një shifër të lartë monetare, ndërkohë që shkatërrimet dhe vjedhjet e objekteve të kulturës antike ishin të përmasave të mëdha. Autori shkruan se sipas Edvin Jacques, studiuesit që ka shkruar një nga historitë më të mira për Shqipërinë, dëmet e Luftës së Dytë ishin shkatërruese për shqiptarët. Në librin “Mjerimi i thellë i Shqipërisë së Pasluftës” ai, duke cituar të dhëna të Qendrës Ndërkombëtare për Ndihmën e Popullsive Civile, thotë se “Shqipëria është një nga vendet më të rrënuara të Evropës... Nga vëzhgimet del se humbjet në banesa ishin katastrofike... Se u shkatërruan 60 mijë ndërtesa dhe u rrafshuan fshatra të tëra, se një e dhjeta e popullsisë mbeti pas strehë”. Një shifër që kapërcente disa herë atë të reklamuar nga ekspertët shqiptarë si të shkaktuar nga pushtuesit italianë dhe që vërtetonte se gjermanët u treguan edhe më gjakësorë e shkatërrues.
Formula e reparacioneve
Drita jeshile për reparacionet në favor të shteteve fituese të Luftës së Dytë u hap në Konferencën e Jaltës, në shkurt 1945. Në marrëveshje, në kreun 2 të saj thuhej: “Gjermania duhet të paguajë në natyrë humbjet e pësuara për shkak të saj nga vendet aleate gjatë luftës. Reparacionet duhet të merren me përparësi nga kombet që kanë mbajtur barrën kryesore të luftës, që kanë pasur humbjet më të rënda dhe që kanë kontribuar në fitoren mbi armikun”. Në Jaltë u vendos që Gjermania t’i jepte reparacionet në tre forma:
1-Në kapitale, d.m.th., pajisje makineri, anije, mjete transporti etj., që ndodheshin në Gjermani ose jashtë saj dhe kalimi i tyre do të bëhej 2 vjet pas kapitullimit të saj.
2-Në të ardhura, apo lëvrim mallrash të prodhimit të përditshëm.
3-Në përdorimin e fuqisë punëtore gjermane. Një formë e parashikuar edhe në sistemin e mëparshëm të reparacioneve të Luftës së Parë. Por prej kësaj forme u hoq dorë për shkak të kundërshtimit të qeverisë amerikane dhe franceze.
Paraprakisht u përcaktua që Gjermania të paguante gjithsej rreth 20 miliardë USD, nga të cilat 10 do të shkonin në favor të Bashkimit Sovjetik, 8 në adresë të SHBA dhe Britanisë së Madhe dhe mbetja të shkonte në favor të shteteve të vogla aleate. Gjithsesi, kjo ndarje mori kontestime amerikane dhe britanike, të cilat kishin kundërshti edhe për shumën totale të reparacioneve.
Shteti shqiptar arriti të futej në vallen e përfitimit të zhdëmtimeve të luftës përgjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Reparacioneve, që nisi në Paris më 9 nëntor 1945. Shqipëria nuk ishte në listën e shteteve pjesëmarrëse, por pikërisht gjatë punimeve, më 21 nëntor 1945 ajo u pranua të merrte pjesë si anëtare me të drejta të plota. Në fund Konferenca përcaktoi edhe sasinë totale të zhdëmtimeve për secilin shtet pretendues, duke i përcaktuar Shqipërisë të kundërtën e pjesë së luanit, më saktë u vlerësuan shifra që barazonin dëmet e shkaktuara në vendin tonë me ato të shkaktuara nga gjermanët në Egjipt dhe kishte shtete, si Zelanda e Re apo Bashkimi Jug-Afrikan që përfitonin shumë më tepër. Edhe pse përfaqësuesit e shtetit shqiptar ngritën zërin në të gjitha seancat e mëpasme të Konferencës së Reparacioneve apo pasueses së saj që u quajt Agjencia Ndëraleate e Reparacioneve (IARA), nuk patën fuqi të ndryshonin asgjë në vleftën e caktuar. Kështu në kategorinë A (zhdëmtim në mall) pjesa e zhdëmtimeve nga Gjermania për Shqipërinë do të ishte sa 1/2000 e sasisë së përgjithshme të reparacioneve, ndërsa në kategorinë B (zhdëmtim në të holla) diçka më tepër, 7/2000.
Të vegjël dhe të mëdhenj
Por edhe kjo vlerë e fiksuar nuk ishte e thënë të mbërrinte në Shqipëri. Kjo sepse përfaqësuesit e komandave ushtarake në zonat e okupuara të Gjermanisë, ata që kishin edhe atributet e pushtetit, bëheshin gjithmonë pengesë. Duke sjellë të dhëna të arkivave, jo vetëm të shtetit shqiptar, Profesor Krisafi rreshton të dhëna interesante. Kështu për shembull përfaqësuesi i komandës ushtarake pengoi specialistët shqiptarë të çmontonin pajisjet që ishin caktuar për Shqipërinë në fabrikën “Schiess” (torno, presa, e të tilla të ngjashme) duke u justifikuar se komanda e tij kishte programuar një tjetër afat çmontimi. Po kështu në maj 1947 shqiptarët duhet të merrnin nga uzina 24, në një zonë pushtimi 58 elektromotorë, por në realitet gjetën vetëm 18. Në një tjetër rast një repart i tërë që duhet të çmontohej e të vinte në Shqipëri ishte i zënë me riparimin e automjeteve të tipit “Jeep” të ushtrive aleate. Kështu për fat të keq në Shqipëri mbërritën vetëm ca hekurishte pa vlerë apo me vlerë të diskutueshme. Nga ana tjetër, larg fatit të të voglit, të dhënat thoshin se superfuqitë fituese të luftës po përlanin ajkën e prodhimeve gjermane. Kështu pohohej se 50% e prodhimeve të disa degëve të industrisë gjermane dërgoheshin në Angli, se po këtu ishin transferuar uzina të tëra, se të njëjtët merrnin prodhimin e 80 ndërmarrjeve të prodhimit të mobilieve në Bavari. Nga ana e tyre amerikanët merrnin krejt prodhimin e këpucëve dhe mijëra kamionë të markës “Opel” dhe të gjitha prodhimet e aparateve fotografike “Laica”. Ndërkohë francezët morën uzinat Rheinmetall-Borsing, që përbënin një pjesë të mirë të industrisë së rëndë. Por kishte edhe goditje me të zgjuara. Kështu amerikanët u morën gjermanëve mbi 200 mijë patenta industriale të vlerësuara me shifrën 5 miliardë USD si dhe 300 shkencëtarë që u vunë në punë në laboratorët e Ministrisë së Luftës. Puna e tyre kërkimore shkencore llogaritet t’i ketë kursyer amerikanëve një shumë prej 750 milionë dollarësh. Nga ana tjetër, përballë këtyre zhvillimeve, shqiptarët kishin mbetur me gisht në gojë. Në total ata përllogaritën se në kategorinë A kishin marrë vetëm 0.01% kundrejt 0.05% që duhet të merrnin, ndërkohë që për shembull SHBA në të njëjtën kategori kishte marrë 34.43% në vend të 28% që kishte kuotën. Përfundimisht Shqipëria mori gjithsej reparacione nga Gjermania në shumën 1,095 302 dollarë USA, prej të cilëve 27,866 në kategorinë A dhe 1,067.436 në kategorinë B.
Humbja e gjithë betejës
Por shqiptarët nuk u ndahen lehtë gjermanëve. Kjo sepse gjatë gjithë kohës ata nuk mund të kapërdinin faktin se dëmet e shkaktuara nga nazistët në Shqipëri nuk ishin zhdëmtuar aspak dhe se krahasuar me shtete të tjerë, ata kishin përfituar veçse thërrime. Në këto rrethana udhëheqja komuniste e Tiranës mendon të nxjerrë në fushën e lojës diplomacinë duke tentuar arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe me gjermanët. Sipas punimit të Profesor Ksenofon Krisafit, rasti paraqitet në fillimin e viteve 1970, saktësisht në vjeshtën e 1973, kur kishte nisur punimet sesioni i 28 i zakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në rendin e ditës ishte shqyrtimi i propozimit të pranimit të dy shteteve gjermane si anëtarë të OKB. E përfaqësuar nga Ministri i Jashtëm, Nesti Nase, qeveria shqiptare votoi në favor të pranimit, por duke përmendur disa “aspekte të pazgjidhura të problemit gjerman”. Saktësisht përfaqësuesi shqiptar deklaroi para Asamblesë se Republika Popullore e Shqipërisë kërkonte që t’i paguheshin sa më shpejt të gjitha reparacionet për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë nga Gjermania naziste. Pas dy vitesh pritje të ndonjë reagimi nga shteti gjerman, më 1 korrik 1975, ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Dh. Lamani, i kërkon takim ambasadorit të Gjermanisë Federale Jesco Von Puttkamer dhe me notë verbale i dorëzon Memorandumin e qeverisë shqiptare të datës 28 qershor 1975 mbi reparacionet me porosi që t’ia transmetonte qeverisë së tij. Në dokument thuhej se edhe pse kishin kaluar 30 vjet që nga mbarimi i Luftës, problemi i reparacioneve nuk ishte zgjidhur. Por përgjigjja gjermane vonon të vijë, për më tepër pas dy muajsh çështja plas në media. Gazeta austriake “Courier” e 26 gushtit 1975 shkruante: “Tirana do dhjetë miliard marka”. Sipas analizës së Profesor Krisafit, kishte të ngjarë që vetë qeveria e Bonit të kishte shfrytëzuar mediat për të përgatitur opinionin publik se pretendimet e shqiptarëve ishin shumë të fryra dhe për të pasur në këtë mënyrë më të lehtë një qëndrim negativ. Kështu edhe ndodh. Në përgjigjen zyrtare gjermane të mbërritur më 27 shtator 1975 kërkesa shqiptare cilësohej si e parealizueshme. Po sipas analizës së Profesor Krisafit, i gjithë faji i mosarritjes së një marrëveshjeje me gjermanët ishte i diplomacisë shqiptare që kishte mbetur në qerthullin e dogmave të parimeve të vjetra të politikës komuniste. “Së pari shuma e avancuar ndaj RF të Gjermanisë ishte në proporcione të ekzagjeruara”, shkruan Krisafi dhe së dyti “gjuha e përdorur ishte e pakujdesshme. Kërkohej dialog dhe flitej me një zhargon të tejkaluar, me formula standarde nekrofile të kohëve shumë të largëta”. Në Memorandum vlera e reparacioneve nga Gjermania ishte fiksuar në shumën 2 miliard dollarë USA, ndërkohë që interesat nga mosshlyerja në kohë ishin edhe më tepër, 2.5 miliardë dollarë. Kështu që tollovia diplomatike me Gjermaninë nuk merr asnjëherë fund dhe reparacionet me gjithë përpjekjet e shumta të shqiptarëve nuk mbërrijnë kurrë. Për më tepër edhe kur gjermanët kërkojnë që të vendosin marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, edhe pse koha shënonte post 1980, politika e Tiranës sërish vazhdon avazin e vjetër të reparacioneve si kusht. Një verbëri e pakuptueshme edhe pse diplomatët gjermanë, që habiteshin se si Shqipëria kishte mbetur i vetmi vend në Evropë pa marrëdhënie diplomatike me shtetin e tyre, vazhdimisht theksonin se vetëm pas vendosjes së këtyre marrëdhënieve, hapej mundësia e bashkëpunimeve në fushën ekonomike. Kulmin e shënon refuzimi i ideve të Kryeministrit të Landit të Bavarisë Franc Jozef Shtraus, mik i shqiptarëve, i cili ua thotë shqeto autoriteteve më të larta të Tiranës, në zyrat e tyre, se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëria do të ketë përfitime të shumta ekonomike nga Gjermania. Madje përmend edhe shifrën 30 milionë marka menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Por kasta e fundit e komunistëve shqiptarë nuk lëviz nga llogoret e vjetra të luftës duke i humbur shqiptarëve përfundimisht shansin e artë të bashkëpunimit ekonomik me superfuqinë ekonomike evropiane dhe njëkohësisht duke u zgjatur agoninë shtetasve të vet të katandisur në këtë kohë për sigurimin e bukës së përditshme. Apo siç përmbyll, Profesor Krisafi, duke i kthyer kapakun e fundit gjithë punimit të tij, me sjelljen në vëmendje të sloganit-komandë të viteve 1960, të Enver Hoxhës, që përcaktonte se ne, shqiptarët, edhe bar do të hanim, por parimet nuk do i shkelnim.
*) Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, ish-ambasador në zyrën e OKB-së dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë, aktualisht zv/rektor i Universitetit Europian të Tiranës
Reparacionet nga Gjermania
Në kategorinë A (zhdëmtimi në kapitale) pjesa e zhdëmtimeve nga Gjermania për Shqipërinë do të ishte sa 1/2000 e sasisë së përgjithshme të reparacioneve, ndërsa në kategorinë B (zhdëmtimi në të ardhura) do ishte 7/2000.
Shqipëria mori gjithsej reparacione nga Gjermania në shumën 1 095 302 dollarë USA, prej të cilëve 27.866 në kategorinë A dhe 1 067 436 në kategorinë B.
Në Memorandum vlera e reparacioneve të kërkuara nga Gjermania ishte fiksuar në shumën 2 miliard dollarë USA, ndërkohë që interesat nga mosshlyerja në kohë ishin edhe më tepër, 2.5 miliardë dollarë.
Përqindjet e reparacioneve
Vendi Kategoria A Kategoria B
Shqipëria 0.05 0.35
SHBA 28.00 11.80
Australia 0.70 0.90
Belgjika 2.70 4.50
Kanadaja 3.50 1.50
Danimarka 0.25 0.35
Egjipti 0.05 0.20
Franca 16.00 22.80
Britania e Madhe 28.00 27.80
Greqia 2.70 4.35
India 2.00 2.90
Luksemburg 0.15 0.40
Norvegjia 1.30 1.90
Zelanda e Re 0.40 0.60
Holanda 3.90 5.60
Çekosllovakia 3.00 4.30
Bashkimi Jug-Afrikan 0.70 0.10
Jugosllavia 6.60 9.60
(Kategoria A cilësonte zhdëmtimin në kapitale, ndërsa sasia 0.05 për Shqipërinë ishte përqindja nga 100%. Kategoria B cilësonte zhdëmtimin në të ardhura, që në rastin e Shqipërisë ishin 0.35% të 100%)
Tri format e reparacioneve
Në kapitale, d.m.th., pajisje makineri, anije, mjete transporti etj që ndodheshin në Gjermani ose jashtë saj dhe kalimi i tyre do të bëhej 2 vjet pas kapitullimit të saj.
Në të ardhura, apo lëvrim mallrash të prodhimit të përditshëm.
Në përdorimin e fuqisë punëtore gjermane. Një formë e parashikuar edhe në sistemin e mëparshëm të reparacioneve të Luftës së Parë. Por prej kësaj forme u hoq dorë për shkak të kundërshtimit të qeverisë amerikane dhe franceze.