E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liban, fushatë me postera sensualë

Libanezët janë shumë të famshëm për
marketing, për çfarëdolloj marketingu
dhe reklame, por ndonjëherë kjo aftësi e
tyrja mund të shndërrohet edhe në një fakt
komik, siç ka ndodhur së fundi. Të dielën vendi
do të shkojë në kutinë e votimit për të vendosur
në lidhje me marrjen ose jo nga ana e opozitës
së Hezbollahëve të kontrollit përfundimtar të
shtetit. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë institucionet
e shtetit do të largoheshin nga ndikimi
amerikan dhe përqendrimi i partisë do të ishte
mbrojtja e krahut ushtarak anti-izraelit. Para këtyre
zgjedhjeve u zhvillua një fushatë elektorale
që pati shumë momente komike të një reklamimi
qesharak të kandidatëve dhe e gjithë kjo në
sfondin e një politike sektare brenda vendit dhe
në të gjithë rajonin. Por, nëse do të ishit në Liban
këto ditë nuk do ta kuptonit thelbin e gjërave dhe
mbi të gjitha atë të konfliktit, po t‘u hidhnit një
sy vetëm posterave dhe tabelave të ndryshme
elektorale. Për shembull, a mund të ndodhë që
të mbështesësh Hezbollahët dhe të jesh njëherazi
seksi? Në rastin e këtyre zgjedhjeve në Liban kjo
është e mundur. Të paktën ky është konteksti i një
sërë reklamash të një partie politike të krishterë,
Lëvizja e Lirë Patriotike, e drejtuar nga një ishgjeneral
që u shkëput prej linjës së përgjithshme
të partive të krishtera për t‘u renditur përkrah
Hezbollahëve dhe me partinë shiite Partia e Zotit.
Sipas kësaj partie të vogël, mënyra më e mirë për
të mbrojtur prezencën e të krishterëve në Liban
është bashkimi i forcave dhe krijimi i aleancave
me valën gjithnjë e në rritje që po vjen nga Lindja
- islamin shiit, Iranin dhe Sirinë. Por, ndërkohë
që të krishterët, pra edhe partia e vogël, i marrin
modelet e reklamimit nga Perëndimi, Parisi a Nju
Jorku, këto modele bien ndesh me mënyrat dhe
frymën e Hezbollahëve. Kështu, posterat e kandidatëve
të Lëvizjes së Lirë Patriotike, që përdor
ngjyrën portokalli për të përcjellë mesazhin e
saj, paraqesin njerëz të rinj, shumë simpatikë,
e modernë në pamje, që mesazhet e tyre i kanë
në anglisht, ose frëngjisht, e jo në arabisht. Një
prej tyre, shumë qesharak, por që u zhduk më
pas ishte: "Bëhu i bukur dhe voto!". Hezbollahët
akuzojnë partitë kundërshtare të mbështetura nga
amerikanët dhe sauditët për korrupsion, edhe pse
në fakt të dyja palët bëjnë para pa fund e sidomos
në këtë fushatë po sjellin nga jashtë shumë para,
çka me siguri që do t‘i rendisë këto zgjedhje në
krye të listës së zgjedhjeve më të shtrenjta të
mbajtura ndonjëherë në vend. Në postera të tjera
të opozitës jepen vende të ndryshme të Libanit e
Bejrutit që amerikanët duan t‘i blejnë me diçiturën:
"Vendi ynë nuk është në shitje". Për sa u
përket Hezbollahëve, ata nuk kanë bërë ndonjë
fushatë shumë të ashpër, ndryshe nga herët e tjera.
Pjesërisht sepse atyre nuk u duhet ta bëjnë një gjë
të tillë. Mbështetësit e tyre janë besnikë fanatikë
që nuk i ndryshojnë kollaj bindjet. Nga ana tjetër,
ata kanë bërë aleatë edhe jo pak të krishterë që
kanë përqafuar ideologjinë e rikthimit të Imamit
të Fshehur dhe shkatërrimit përfundimtar të
sionizmit. Në një poster të Hezbollahëve që doli
më 25 maj, përvjetorin e ditës kur Hezbollahët
çliruan Libanin e jugut në vitin 2000 pas 18
viteve të pushtimit hebre, partia shfaqet si një
parti unifikuese, parti që ofron siguri, paqe, vlera
dhe pavarësi. Diçitura e këtij posteri ishte: "Toka
ime ka më shumë vlerë se ari". Në anën tjetër të
spektrit politik ndodhet koalicioni i të krishterëve
dhe grupeve të myslimanëve sunitë i njohur si
"14 Marsi". Kjo është dita kur në vitin 2005 qindra
mijëra veta u mblodhën në qendër të Bejrutit në
shenjë proteste për dhënien fund të pushtimit të
Libanit nga Siria. Edhe pse Siria e la vendin verën
e po atij viti, koalicioni ka pasur një periudhë të
vështirë. Liderët e "14 Marsit" u poshtëruan kur
mbështetësit e tyre, amerikanët, i braktisën gjatë
luftës së vitit 2006 me Izraelin. Më pas, pranverën
e kaluar, Hezbollahët fi tuan ndaj koalicionit "14
Marsi" në Bejrutin perëndimor dhe i detyruan ata
që të pranonin një qeveri të unitetit kombëtar, në
të cilën Hezbollahët kanë fuqinë e vetos në të gjitha
çështjet e rëndësishme. Aktualisht, Hezbollahët
janë përpara në sondazhe, falë aleancës me Partinë
Kristiane. Por "14 Marsi" po bën maksimalisht përpjekjet
e veta. Reklamat e tyre elektorale janë më të
mençura dhe më me kuptim se ato të Hezbollahëve,
por shpesh ato janë në frëngjisht, apo anglisht dhe
shanset që të kuptohen nga shumica e njerëzve
janë shumë të pakta. Edhe në reklamat e posterat
e tyre luhet rëndshëm dhe teprueshëm me fytyrat e
bukura të femrave. Ato nuk përfaqësojnë shumicën
dhe shumë mirë mund të reklamonin ndonjë krem,
apo parfum. Janë të reja, joshëse dhe me vështrim
gjysmë erotik. Ironia e fatit është se "14 Marsi"
nuk ka vetë asnjë politikan seksi, ah po përveç
njërës, një 26-vjeçare që kandidon për herë të
parë, Nayla Tueni. Mbështetësit e saj janë munduar
që të mos i japin shumë përparësi dukjes së
saj të bukur, por të nënvizojnë vlera të tjera të saj
si inteligjenca, elokuenca dhe përgatitja intelektuale.
Kandidatura e saj nënvizon një tjetër aspekt
të fushatës së "14 Marsit". Këtë herë po kandidojnë
shumë nga fëmijët e politikanëve antisirianë, të
vrarë që nga viti 2005. Kështu, babai i Naylas,
Gibran, një parlamentar dhe botues gazetash, u
vra gjatë shpërthimit të një bombe rruge, ndërsa
po kthehej nga puna në shtëpi në vitin 2005. "14
Marsi po tenton që t‘u kujtojë votuesve për të
gjitha trazirat me të cilat është përballur vendi
gjatë viteve të kaluara, për të cilat koalicioni fajëson
Hezbollahët. Shumë nga reklamat zgjedhore
paraqesin edhe pjesë të djegura të vendit, shtëpi
të rrënuara e njerëz të plagosur. Në njërën prej
tyre shkruhet: "Ka njerëz që kandidojnë, por ata
nuk duhet ta bëjnë një gjë të tillë, duke qenë se
vijnë nga një e shkuar e turpshme".
Që nga marrëveshja politike e Dohas, që u
dha fund luftimeve në rrugët e Libanit pranverës
së kaluar, vendi po qeveriset nga një qeveri kujdestare
e ngritur mbi bazën e kompromiseve,
që në fakt ka dalë të jetë shumë e efektshme dhe
dobiprurëse. Presidenti i vendit, Mishel Sulejman,
ish-gjenerali më i fuqishëm në vend, ka vendosur
në pushtet gjeneralë teknokratë që nuk vijnë nga
pozicione partiake dhe nuk mbajnë anë kur është
fjala për të marrë vendime të cilat prekin të gjithë
vendin. Ata veçanërisht u morën me një fushatë
për përmirësimin real të jetës së njerëzve që
ndihmoi edhe në qetësimin e situatës në rrugët
e Libanit, që ishin shndërruar në shesh-beteje të
shpërthimit të bombave e protestave. Tani janë
zgjedhjet dhe të gjithë duhet të mendohen mirë
para se të hedhin votën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›