Topalli rizgjidhet në krye të Kuvendit
Me 74 vota "pro" dhe një "kundër", Parlamenti ka zgjedhur dje për herë të dytë Jozefina Topallin si Kryetare të Kuvendit të Shqipërisë. Vota kundër duket se ka qenë ajo e kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i vetmi deputet opozitar që ka qenë në sallën e Kuvendit. Nënkryetarja e PD-së dhe deputetja e Shkodrës është propozuar për postin e Kryetares së Kuvendit nga deputeti i PD-së, Astrit Patozi, i cili ka depozituar në sekretariatin e përkohshëm të Kuvendit listën me 60 firmat e deputetëve që mbështesin Topallin si Kryetare Kuvendi. Në këtë listë kanë firmosur edhe deputetët e LSI-së, të cilët në katër vitet e ardhshme do të bashkëqeverisin me PD-në. Votimi është bërë i fshehtë me kuti. Pas shpalljes së rezultatit nga sekretariati i votimit, Topalli ka falënderuar kolegët deputetë dhe PD-në për besimin e dhënë sërish për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme të vendit. Ajo ju ka premtuar kolegeve deputete se bashkë do të bëjnë çdo gjë për ta shndërruar këtë institucion në lokomotivën e legjislacionit europian të Shqipërisë, duke e bërë edhe me të fuqishme diplomacinë parlamentare, avokatinë e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve, si dhe do të punojnë për të rritur kontrollin e qeverisjes në çdo shtyllë të këtij shteti. Gjithashtu, Topalli ka keqardhjen e saj që opozita nuk ishte në vendet e saj, për të nderuar votën e qytetarëve socialistë. Ndaj ajo i ka bërë ftesë edhe një herë opozitës të jetë në Kuvend, pasi mazhoranca është e hapur për të bashkëpunuar me ta për të mirë të Shqipërisë. Më tej Topalli është shprehur se "kam qenë me fat, që kam drejtuar Parlamentin në legjislaturën e kaluar. Bashkë me deputetët që janë në këtë sallë dhe ata që nuk janë më, kemi realizuar një axhendë të pabesueshme. Ishin katër vite plot sfida të vështira, herë-herë me tensione të forta politike. Por ishte një legjislaturë e suksesshme në reforma, në bashkëpunimin për ligjet themeltare, në çështjet e interesit të kombit e në proceset integruese". Duke u ndalur te puna katërvjeçare, Topalli tha se "ky Parlament në 4 vitet e ardhshme do të ketë një axhendë shumë ambicioze. Do të bëjë çdo gjë për të mbështetur projektet e mëdha të kombit". Ajo ka premtuar se gjatë drejtimit të Kuvendit do ta respektojë opozitën edhe kur nuk bie dakord me të, sepse këtë thotë shpirti i demokracisë. "E respektoj opozitën jo vetëm sepse këtë më thotë detyra, por edhe sepse pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në opozitë dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht si deputete", tha Topalli. Duke mbyllur fjalën, Topalli tha se "nuk kam ëndërr më të bukur si Kryetare se sa ta shoh këtë sallë arenë të debatit të vërtetë, tempull të së vërtetave, në funksion të shqiptarëve, në funksion të kombit, në funksion të një ekonomie gjithnjë në rritje, të një kombi në rritje, në mbrojtje të shtetit të së drejtës, në synimin e integrimit".