Topalli shkarkon Biberajn nga KE
Adi Shkëmbi
Aleksandër Biberaj shkarkohet nga posti që mban si kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Deputeti i PD-së do të zëvendësohet në këtë post nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Burime zyrtare nga maxhoranca bëjnë të ditur se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka dërguar një letër në sekretariatin e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ku ka kërkuar pikërisht zëvendësimin e kreut të delegacionit shqiptar. Biberaj u zgjodh tre vjet më parë si kryetar i delegacionit të përhershëm parlamentar pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në përbërje të tij ishin edhe Lajla Përnaska, Kastriot Islami dhe Paskal Milo. Në këtë mënyrë ai nuk do të mbajë dot më as postin e zv.presidentit të Asamblesë Parlamentar të KE-së, post të cilin automatikisht e merr Ilir Rusmali. Por sipas rregullores së Kuvendit, në pikën 3 të nenit 7 thuhet: “Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur”. Burimet bëjnë të ditur se në seancën e së hënës mund të futet në rendin e ditës ndryshimi i kreut të këtij delegacioni. Mësohet gjithashtu se arsyeja përse është kërkuar zëvendësimi i Biberajt, është se ai nuk ka lobuar sa duhet pranë Këshillit të Evropës për të dhënë argumente pro ligjit të dosjeve të miratuar në fund të dhjetorit në Kuvend. Pak ditë më parë, Këshilli i Evropës kritikoi publikisht ligjin e dosjeve. Për të dytën herë brenda një muaji, ky institucion u pozicionua kundër këtij ligji, duke rrëzuar iniciativën e maxhorancës. Sekretari i Përgjithshëm i KE-së, Terry Davis, në një deklaratë publike theksoi se, “ligji nuk përmbush kriteret, duke mos respektuar disa udhëzimeve të rëndësishme të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratuar në vitin 1996”. Më tej, sipas tij, “për disa dekada, populli shqiptar vuajti nën një prej regjimeve komuniste më të ashpër dhe më mizorë në Evropë, prandaj dhe unë e kuptoj përpjekjen për të vendosur të vërtetën dhe për të dënuar ata që dhunuan të drejtat e njeriut gjatë kësaj periudhe. Por çdo përpjekje e tillë duhet të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës për demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Kundrejt këtij sfondi, shpreh shqetësimin që ligji i lustracionit, i miratuar nga Parlamenti shqiptar në 22 dhjetor 2008, nuk i përmbush këto kritere”, deklaroi Davis. Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, për shkak edhe të lidhjeve të tij me Këshillin e Evropës, ka qenë një nga deputetët më të angazhuar të maxhorancës për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve. Madje pak muaj më parë, kur debatet për këtë ligj u rikthyen në qendër të vëmendjes, ai u ngarkua nga grupi demokrat të hartonte një variant të mesëm, duke marrë përsipër edhe propozimet e opozitës. Por pavarësisht faktit se Biberaj depozitoi në Kuvend draftin, ai nuk u mor fare në konsideratë nga maxhoranca, e cila kaloi një tjetër variant me disa ndryshime nga ai i vitit 2006.