E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli takon Zv/Ndihmes-sekretarin Amerikan te Shtetit Filip Riker

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj në Washington u prit në Departamentin e shtetit nga Zv/Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Filip Riker, një njohës i mirë i çështjes shqiptare në veçanti dhe i çështjeve ballkanike në tërësi.

Pasi e përgëzoi zotin Riker për marrjen e detyrës së rëndësishme, Kryetarja Jozefina Topalli bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe u ndal në mënyrë të veçantë në treguesit ekonomikë, që e bëjnë Shqipërinë një model të vërtetë suksesi në rajon e më gjerë.

Pasi vuri në dukje raportet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA, kontributin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe frymën miqësore
të shqiptarëve, Zv/Ndihmës-sekretari Riker vlerësoi ecurinë dinamike të reformave në Shqipëri. Takimi kaloi në një frymë mirëkuptimi dhe tejet miqësore.

Kryetarja e Kuvendit takohet me bashkëkryetarët e Kokosit shqiptar në Kongresin Amerikan, Elliot Engel dhe Jean Schmidt. Engel: “Mbështetje e palëkundur Shqipërisë dhe Kosovës. Përgëzojmë shqiptarët për progresin e arritur”

Në vijim të takimeve të saj në Uashington, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u prit edhe nga kongresmeni Eliot Engell.
Si një nga njohësit më të mirë të Shqipërisë qysh nga vitet ’90-të dhe mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare, Engell vlerësoi se Shqipëria ka befasuar me ecurinë e reformave dhe paraqet një demokraci funksionale. Znj.Topalli vlerësoi kontributin e kongresmenit Engell në mbështetje të demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në Pavarësinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës.

Sipas kongresmenit Engell, Shqipëria ka bërë një ndryshim radikal, shumë më tepër se çdo vend tjetër në rajon.
“Unë mbetem një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe Kosovës. Dyert e mia do të jenë gjithnjë të hapura për shqiptarët”, theksoi
Engell.

Kryetarja e Kuvendit pati gjithashtu një takim të shkurtër me Jean Schmidt, bashkëkryetarë me kongresmenin Engell të kokosit shqiptar në Kongres .

Gjatë takimit me zonjën Jozefina Topalli, Schmid u shpreh se përgëzonte shqiptarët për progresin e arritur dhe u ndal në figurën simbol të shqiptarëve, të dashurisë dhe sakrificës njerëzore, në figurën e Nënë Terezës.

Ajo shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë për të njohur nga afër vendin e origjinës së Nënë Terezës. Gjatë qëndrimit të saj në Uashington, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u prit në Capitol Hill nga stafi i ngushtë i Kryetarit të Kongresit Amerikan Xhon Bener, me të cilin pati një bisedë të shkurtër gjatë punimeve të Forumit Parlamentar për Demokraci. Znj.Topalli u takua me shefin e stafit Berri Xhekson dhe Këshilltarin për Politikën e Jashtme Xhen Stjuart.

Xhekson dhe Stjuart ndanë të njëjtin mendim me kryetaren Topalli se Shqipëria nga një vend me represion të thellë, ka sot tregues të jashtëzakonshëm të progresit të demokracisë dhe ekonomisë. Amerikanët që vizitojnë Shqipërinë, sipas tyre kthehen të mahnitur me progresin e shpejtë dhe dinamik të vendit tonë.

Gjatë bisedës me kryeparlamentaren Topalli, Xhekson dhe Stjuart, shprehën gatishmërinë për të pritur një grup të vogël deputetësh shqiptarë, për të parë si funksionon Kongresi Amerikan, procedurat parlamentare, sesa transparente janë ato dhe sesa e rëndësishme është që vota të jetë e hapur. Sipas znj.Topalli kjo është një mundësi tjetër për të përmirësuar dhe sofistikuar edhe jetën parlamentare në Shqipëri.

Xhekson dhe Stjuart e njohën kryeparlamentaren Topalli me faktin se në kongresin amerikan nuk ekziston vota e fshehur, as për gjyqtarët, as për Kryetarin e kongresit dhe për asnjë ligj tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›