E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Prokuroria të hetojë rolin e Erjon Isufit

Socialistët i kërkuan dje prokurorisë t‘i shkojë deri në fund hetimit për çështjen "Fazliç". Numri dy i grupit parlamentar, Erion Braçe, theksoi se e njëjta gjë duhet bërë edhe për rolin dhe lidhjet e kunatit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, në firmat e Fazliç. Ai u ndal te kompanitë "SRS Development" dhe "Virtu Acuizition" të themeluara në Tiranë dhe të regjistruara në të njëjtën ditë po në Tiranë. "U ndala te këto dy kompani për shkak se këto kompani janë ndërtuar në shtator dhe janë shitur pas dy muajsh po prapë në Shqipëri", tha Braçe. Sipas tij, pronari i të dyja kompanive është po përsëri Damir Fazliç dhe administrator i dy kompanive që në ditën e parë të tyre ka qenë Erjon Isufi. "Zotëria figuron administrator në momentin e regjistrimit të kësaj kompanie, figuron administrator dy muaj më pas kur kjo kopani ka shitur aksionet e saj pa asnjë ditë aktivitet gjatë këtyre dy muajve dhe figuron administrator edhe pas shitjes së kësaj kompanie apo shitjes 50 për qind të aksioneve të kësaj kompanie", insistoi Braçe. E njëjta gjë, shtoi ai, ndodh edhe me kompaninë tjetër "Virtu Acuizition". "Edhe kjo me të njëjtën fushë veprimi, me të njëjtën datë regjistrimi, me të njëjtën ditë shitje të 55 për qind të aksioneve, edhe kjo e administruar nga Erjon Isufi sipas të gjitha dokumenteve të Gjykatës së Tiranës të certifikuar nga noterët", sqaroi Braçe. Në dritën e këtyre fakteve, vijoi ai, çdo specialist do ta kishte gjykuar si kriminale ndërhyrjen, presionin dhe dhunën e Kryeministrit Sali Berisha ndaj prokurorisë me qëllim heqjen e bllokimit për gjurmimin e ligjshëm të veprimeve financiare dhe kontabël në llogaritë e shtetasit Erjon Isufi. PS-ja mendon se ky presion është sot maksimal dhe po kaq kriminal dhe i dhunshëm është çlirimi nga ky gjurmim i ligjshëm për veprimet financiare, qoftë edhe kontabël në të njëjtat kompani të shtetasit Damir Fazliç. "Cilido specialist do ta kishte konsideruar si të nxituar dëshirën e prokurorisë për të liruar nga gjurmimi i ligjshëm për llogari të shtetasit Erjon Isufi veprimtarinë e tij nën rrebeshin e provave përvëluese për të", theksoi Braçe. "Pikërisht, ngulmoi ai, nën dritën e këtyre fakteve, do doja që t‘i jepja gjithë mbështetjen tonë organit të prokurorisë, me qëllim thellimin e hetimeve serioze dhe të plota mbi regjistrimin, administrimin, aktivitetin, shitjen, detyrimet fiskale të realizuara nga shitja dhe aktiviteti aktual i dy kompanive". Braçe tha se, nisur nga pohimi i bërë para disa ditësh nga avokatja Argita Malltezi, se ka ofruar vetëm shërbime ligjore në cilësinë e klientit ndaj Fazliç, do të donte të dinte prej saj nëse ka ofruar shërbimin ligjor në këto dy shitje të reja të dy kompanive të shtetasit serbo-boshnjak, Fazliç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›