Madhi: Të shtyhet dhe dy javë Kodi Zgjedhor
Kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, ka kërkuar që afati i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore të shtyhet edhe për 15 ditë. Sipas vendimit të marrë në Kuvend, komisionit të reformës zgjedhore i mbaron afati më 31 tetor, por megjithëse kanë mbetur vetëm dy ditë deri në përfundim të këtij afati, partitë politike nuk kanë hartuar ende një draft të përbashkët për t‘ia dërguar Kuvendit për miratim. Deputeti Madhi ka kërkuar që ekspertët në draftin përfundimtar, që do të paraqesin në Kuvend, të përcaktojnë edhe ndarjen e mandateve, pasi një gjë e tillë është ende e pasaktësuar mirë. Gjithashtu Madhi ka kërkuar që administrimi i zgjedhjeve të bëhet nga përfaqësues politikë. Aktualisht, negociatat midis PD-së dhe PS-së për Kodin Zgjedhor kanë ngecur. Burimet nga të dyja palët bënë të ditur se nuk ka konsensus të plotë për draftin e hartuar. Ndonëse është gjetur gjuha e përbashkët për shumicën e neneve, ka ende disa pika, për të cilat qëndrimet janë të ndryshme. Këto janë dhe arsyet se pse po pengohet firmosja e Kodit të ri Zgjedhor brenda muajit tetor, siç ishte paralajmëruar dhe premtuar.