E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Strukturat e PD-së nuk duhet të përgjumen

Ministri i Mbrojtjes dhe njëkohësisht një nga drejtuesit e selisë blu ka deklaruar në një intervistë televizive se strukturat e Partisë Demokratike janë të përgjumura. Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në vend dhe nga përgjigjja që duhej bërë nga e djathta, ish-zëdhënësi i PD-së dhe ish-zv.kryeministri i vendit, theksoi se detyrë kryesore e Partisë Demokratike është realizimi i premtimeve që ajo ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Por sipas Oketës, "kjo nuk do të thotë se strukturat e një force politike nuk duhet të funksionojnë. Ajo që ndoshta duhet korrigjuar është mbledhja në një mënyrë pak më të shpeshtë, më periodike e strukturave të PD-s, pasi kjo mund të jetë pika e cila të bën të mendosh se PD është përgjumur. Duke analizuar, konkretizuar e organizuar këto takime, kemi mundësinë të marrim mendimin dhe opinionin e anëtarësisë së PD-së, për mënyrën sesi ne po ushtrojmë pushtetin". Ministri shqiptar i Mbrojtjes, i cili njihet si një nga figurat më ekuilibruse të Partisë Demokratike, i shquar për shuarjen e debateve, mendon se detyra e mazhorancës është të mbajë një kontakt më të ngushtë me qytetarët që e kanë zgjedhur tre vjet më parë. Pikërisht në lidhje me këtë raport, Oketa theksoi se "në gjykimin tim, e rëndësishme për PD-në, e cila është forca kryesore qeverisëse, elementi më i rëndësishëm është mënyra sesi ajo mban dhe përmbush premtimet që ajo i ka dhënë qoftë anëtarësisë së saj, qoftë elektoratit, qoftë edhe gjithë qytetarëve shqiptarë gjatë fushatës. Në rast se një forcë gjatë ushtrimit të mandatit të saj, pushtetit përmbush më së miri të gjitha angazhimet, ndërmerr dhe realizon ato reformat e duhura për të përmirësuar në radhë të parë jetën e të gjithë qytetarëve shqiptarë pa dallime partiake, në një farë sensi përmbush edhe detyrimet që ka kjo forcë politike kundrejt anëtarësisë së saj. Kjo nuk do të thotë se strukturat e një force politike nuk duhet të funksionojnë. Ajo që ndoshta duhet korrigjuar është mbledhja në një mënyrë pak më të shpeshtë, më periodike e strukturave të PD-së, pasi kjo mund të jetë pika e cila të bën të mendosh se PD është përgjumur. Duke analizuar, konkretizuar, organizuar këto takime, kemi mundësinë të marrim mendimin dhe opinionin e anëtarësisë së PD-së".

Militantët

Ministri i Mbrojtjes, edhe pse i kujdesshëm, ka goditur ata që ai i konsideron si "përfitues" në Partinë Demokratike, ose më saktë ata militantë që kërkojnë të sistemohen në administratë vetëm se janë anëtarë apo simpatizantë të së djathtës. Duke folur për këtë aspekt të situatës brenda kampit të mazhorancës, Oketa, i cili u pyet mbi mërzitjen e një pjese të militantëve, deklaroi se "në rast se me fjalën mërzi i referoheni një, apo disa individëve të cilët e shohin kontributin e një force politike, thjesht në funksion të idesë së sistemimit në punë të një apo disa aktivistëve, atëherë kjo është çështje perceptimi. Unë nuk dua të them forcat politike, PD nuk ka detyrim dhe nuk duhet të heqë dorë nga angazhimi për të punësuar qoftë edhe ata që shpeshherë përdoret termi "militant", term tek i cili nuk shoh asnjë lidhje, e shoh me shumë pozitivitet ketë term, por nuk duhet ngatërruar hatërmbetje apo qejfmbetje me disa kërkesa të tilla. Në mendimin tim, misioni i një force politike është shumë më i gjerë, shumë më i madh, më i thjeshtë sesa sistemimi në punë i një individi.

Kandidimi

Gazmend Oketa, i cili është deputet i Durrësit dhe një nga drejtuesit e Partisë Demokratike, ka kundërshtuar të gjitha zërat se ai mund të ishte një nga kandidatët për të drejtuar degën e selisë blu në qytetin bregdetar. Pasi ka falënderuar propozuesit nga baza, Oketa theksoi se "unë gjykoj se nuk duhet të kandidoj për degën e PD-së në Durrës, do të dëshiroja që në këtë degë të bëhej një garë e hapur, të kishte emra të rinj, alternativa të reja, pasi e kam bindjen dhe jam shprehur vazhdimisht se Durrësi është qytet i djathtë, PD-ja e Durrësit ka goxha potencial, goxha figura të cilat realisht mund të japin kontributin e tyre, duke drejtuar degën e PD-së së Durrësit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›