E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: PS-ja nuk i mashtron dot pensionistët

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka reaguar ditën e djeshme pas deklaratës së Partisë Socialiste se qeveria ka mashtruar pensionistët me rritjen e pensioneve. Sipas Bogdanit, ky është një mashtrim i radhës nga dyert e PS-së i cili mund të verifikohet fare lehtë. Ai tha se mjafton të pyeten pensionistët shqiptarë se sa përfitonin në vitin 2005 dhe sa përfitojnë aktualisht. “Një deklaratë e tillë mund të bëhet vetëm në kuadrin e politikës së re të mashtrimit të z. Rama. Sot çdo pensionist apo pensioniste në të gjitha qytetet e Shqipërisë e di që pensioni i tij apo i saj është më i lartë. Beqja sot zëvendësoi njërin prej erionëve. Ai mashtroi kur tha se pensionet në fshat janë 40 mijë lekë, ndërkohë që nuk ka pension nën 60 mijë lekë. Ai mashtron kur thotë se pensionet në qytet janë rritur vetëm 6.7 për qind, ndërkohë që janë rritur me 10% shifra kjo më e lartë në 8 vitet e fundit. Pensionet janë rritur shumë herë më shumë se koha kur qeveria e tij drejtonte dhe falsifikonte listat e pensionistëve. Çdo pensionist në qytet nga 83.5 $ që merrte në vitin 2005, sot merr 111 $ me kursin e këmbimit të vitit 2005. Çdo pensionist shqiptar në fshat nga 34,000 lekë pension në 2005-ën, merr 60,500 lekë pension në 2008-ën, pra sot merr dyfishin. Në qoftë se inflacioni është rritur me 2-4% në këto tre vite, në fund të vitit çdo pensionist në qytet ka marrë një shtesë të barabartë me 5% të pensionit mujor dhe çdo pensionist në fshat një shtesë të barabartë me 10% të pensionit, të vlefshme për të zeruar inflacionin. Me deklarata të tilla Partia Socialiste mund të pasurojë vetëm arkivën e mashtrimeve të z. Rama, por nuk mund të mashtrojë asnjë pensionist shqiptar”, - tha Bogdani në deklaratën e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›