E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon PS-ja: Meta do t’i sjellë humbjen së majtës, si në 2005-ën

Brenda kampit të majtë janë ashpërsuar akuzat, duke arritur në nivelin e hedhjes së përgjegjësisë në rast se e majta humb në vitin 2009. Zëdhënësja e PS-së Mimi Kodheli u shpreh ditën e djeshme se partia e drejtuar nga Ilir Meta po ndjek rrugën e vitit 2005, çka nënkupton se LSI-ja duhet të marrë përsipër përgjegjësinë në rast se e majta humb zgjedhjet. Por Kodheli u shpreh optimiste duke thënë se pavarësisht se LSI-ja del me koalicion më vete, PS-ja do të arrijë fitore si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj LSI-së. “Ne urojmë që rruga e vjetër e vitit 2005 të mos jetë rruga që Ilir Meta ka zgjedhur për vitin 2009, sepse atë rrugë e uron vetëm Sali Berisha për të cilin Ilir Meta i sotëm ngjan e vetmja kamerdare shpëtimi. Por edhe sepse në atë rrugë Ilir Meta kësaj radhe do të humbasë bashkë me Sali Berishen”, - tha Kodheli. Këtë deklaratë e ka kundërshtuar menjëherë nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, i cili tha se koalicioni i PS-së është një koalicion bishtash që merret me marifete presjesh dhjetore. “Jemi gjithashtu të keqardhur që lidershipi i PS-së vazhdon të sajojë marifete dhe forma që nuk synojnë bashkimin e programeve dhe vlerave të aleatëve të saj, por synon t’i vërë ata nën kontroll nën frymën e ndryshimeve kushtetuese që ndodhën në 21 prill, ndryshime që çimentuan në pushtet Sali Berishën. Koalicionet duhet të ngrihen mbi vlera, principe, vizione dhe programe të përbashkëta dhe jo të jenë koalicione bishtash dhe marifetesh të presjeve dhjetore”, - tha Axhemi. Në krahun tjetër, PS-ja e ka identifikuar LSI-në si pasqyra e politikës së vjetër përçarëse që hedh baltë mbi politikën e re të drejtuar nga Edi Rama. “U bënë muaj që ndërkohë që ne vazhdojmë të punojmë për një bashkim të ri të të gjithë shqiptarëve për t'u ndarë nga politika e vjetër e 17 vjetëve konflikte e dështime, Ilir Meta i është rikthyer politikës së vjetër të sherreve e të dasive duke sulmuar sistematikisht Partinë Socialiste dhe Bashkinë e Tiranës me shpifje e fyerje të padenja për koment”, - tha Mimi Kodheli. Ajo shtoi më tej se Ilir Meta është kundër dialogut. “U bënë muaj që ndërkohë që ne vazhdojmë të ndërtojmë një dialog me qytetarët e këtij vendi, programin e ri qeverisës për Shqipërinë, Ilir Meta hedh në erë urat e komunikimit normal dhe të bashkëpunimit të natyrshëm me Partinë Socialiste. U bënë muaj që ndërkohë që ne vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë si opozitë duke ngritur zërin për problemet e shqiptarëve, Ilir Meta bën vetëm akuza ndaj Partisë Socialiste dhe Bashkisë së Tiranës”, - akuzoi më tej Kodheli. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste kanë nisur fushatën e akuzave të ndërsjella që nga fundi i zgjedhjeve lokale të vitit 2007, dhe arritën kulim me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në prill të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›