Zgjedhjet e reja, PD-ja, vetëm me 12 kryetarë lokalë
PD-ja parashikon përmes zgjedhjeve të reja brenda saj, më pak drejtues në bazë, por me pushtet më të fortë. Kryetarët e rinj lokalë të kësaj partie, tashmë do të jenë vetëm 12, dhe aq sa janë dhe qarqe në mbarë vendin. Ata do të kenë më shumë kompetenca, madje me të drejtë të propozojnë kandidatët e ardhshëm për deputetë në qarkun e tyre. Zgjedhjet e reja do nisin në shtator dhe do mbyllen në shkurt. Por brenda këtij harku kohor, demokratët pretendojnë të mbyllin procesin e zgjedhjeve lokale brenda PD-së për t’u hapur rrugën më pas zgjedhjeve në qendër. Këto të fundit pritet të shtyhen për shkak të kohës së ngjeshur mes kuvendit të ri të PD-së që mbahet në muajin maj dhe zgjedhjeve të reja parlamentare që do zhvillohen në qershor të 2009-ës. Por me ndryshimet e sistemit të ri zgjedhor, pritet të forcohet roli i kryetarëve të rinj lokalë të PD-së. Duke qenë se sistemi i ri parashikon ndarjen në 12 zona zgjedhore, 12 do të jetë dhe numri i tyre, çka do të thotë se ata do të kenë të drejtën për të propozuar kandidatët për zgjedhjet e ardhshme, por dhe organizimin e fushatave në bazë. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, bëri dje të ditur se procesi i riorganizimit brenda partisë është i nevojshëm për shkak të zgjedhjeve të reja vitin që vjen. “PD-ja do të nisë bashkë me sesionin e ri parlamentar dhe lëvizjen e saj organizative, i cili është një proces që do të fillojë në shtator dhe nuk do të ndalet deri në kongresin e ardhshëm", - tha Patozi. Patozi ironizoi me opozitën e majtë duke bërë të ditur se përmes këtyre zgjedhjeve PD-ja synon një mandat të dytë qeverisës dhe se opozita që është aktualisht duke bërë pushime të mund t’i ketë të gjata ato, deri edhe 5 vjet të tjera. Gjithsesi, zgjedhjet në bazë të partisë në pushtet do të nisin në fillim të këtij muaji për të ardhur gradualisht drejt qendrës. Parimi “një anëtar, një votë” nuk do të përdoret në rastin e zgjedhjes së kryetarit të partisë.
Por këto zgjedhje duket se do të vënë në lëvizje dhe grupe të ndryshme brenda PD-së për të përfituar sa më shumë të zgjedhur në strukturat lokale të partisë. Në kongresin e ri të demokratëve pritet të bëhen dhe zgjedhjet në qendër, por nga burime brenda PD-së ato dhe mund të shtyhen për t’u zhvilluar pas parlamentareve, që përkojnë me muajin qershor.
Por këto zgjedhje duket se do të vënë në lëvizje dhe grupe të ndryshme brenda PD-së për të përfituar sa më shumë të zgjedhur në strukturat lokale të partisë. Në kongresin e ri të demokratëve pritet të bëhen dhe zgjedhjet në qendër, por nga burime brenda PD-së ato dhe mund të shtyhen për t’u zhvilluar pas parlamentareve, që përkojnë me muajin qershor.