Bilanci i Kuvendit, 177 ligje në një vit
Bilanci i punës së Kuvendit të Shqipërisë në dy sesionet e fundit parlamentare përfshin miratimin e 177 ligjeve, përgjatë 77 seancave plenare të zhvilluara në periudhën shtator 2007-korrik 2008. Sipas një raporti zyrtar të Kuvendit, në këtë kohë Parlamenti ka miratuar gjithashtu 7 akte normative me fuqinë e ligjit, 90 vendime e 13 rezoluta, si dhe një dekret për rishqyrtim ligji, ndërsa ka zhvilluar 41 interpelanca dhe seanca pyetjesh me Kryeministrin dhe ministrat e kabinetit qeverisës, dy seanca informuese me Kryeministrin etj. Në sesionin e pranverës 2008, që startoi më 21 janar 2008, Kuvendi miratoi paketën e ndryshimeve kushtetuese, si dhe disa ligje themelore, si ai "Për buxhetin shtesë", "Për shoqëritë tregtare", "Për falimentin", ligjin "Për reformën në sistemin e drejtësisë", ligjin "Për ushqimin" etj. Në një raport tjetër, analizohet edhe puna e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas raportit zyrtar, kjo veprimtari numëron rreth 17 vizita të ndërsjella të kryeparlamentares Topalli jashtë vendit dhe homologëve të saj në Shqipëri, rreth 20 konferenca dhe tryeza të rrumbullakëta rajonale dhe ndërkombëtare në Tiranë dhe jashtë vendit, rreth 90 takime me personalitete të larta në vend dhe jashtë Shqipërisë. Kalendari i punës së Kryetares së Kuvendit përfshin një numër vizitash zyrtare që ajo ka kryer jashtë vendit, e ftuar nga homologë të saj dhe takime me autoritetet më të larta në vendet respektive. Kjo axhendë përfshin vizita zyrtare të kryeparlamentarëve në Tiranë, me ftesë të Kryetares Topalli, pjesëmarrjen e saj në konferenca, sesione dhe takime ndërkombëtare jashtë vendit, si “key speaker” ose lektore në universitete, si dhe një seri e dendur takimesh me personalitete të larta të politikës, të së drejtës dhe fushave të ndryshme. Në fokus të kësaj veprimtarie ishin aktivizimi dhe forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare me vendet e rajonit, vendet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian, vendet anëtare të NATO-s, vendet e Gjirit e më gjerë në shërbim të përparësive, përshpejtimi i ratifikimit të MSA-së nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, nxitja për marrjen nga Shqipëria të ftesës për në NATO, inkurajimi për ratifikimin sa më të shpejtë të protokollit për anëtarësim të plotë në këtë aleancë, liberalizimi i lëvizjes së lirë, mbështetje për statusin pavarësi të Kosovës, lobing për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur etj.