Topi- Spiric optimistë për liberalizimin e vizave
TIRANE- Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, Nikola Spiric dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë u prit sot nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në takimin që u zhvillua në mjediset e Pallatit të Brigadave, u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve politike mes dy vendeve tona, shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi edhe në kuadër të nismave rajonale, si dhe u nënvizuan rëndësia e zgjerimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh, duke u ndalur sidomos në nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik.
Presidenti Topi vuri në dukje se fusha me interes të ndërsjellë bashkëpunimi janë ato të energjisë, turizmit, arsimit, kulturës. Presidenti sugjeroi gjetjen e zgjidhjeve sa më të shpejta për të krijuar kushte sa më të mira për lëvizjen e lirë të njerëzve mallrave dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare-ekonomike që në muajt e parë të 2009.
Në të njëjtën kohë, Kryetari i Shtetit vuri në dukje se vendi ynë do të vazhdojë të japë kontributin e tij në kuadër të pjesëmarrjes ndërkombëtare ushtarake në Bosnje-Hercegovinë me praninë e trupave paqeruajtëse dhe dymbëdhjetë ekspertëve çminues atje.
Sa i përket situatës aktuale në rajonin ballkanit, Presidenti i Republikës dha qëndrimin e Shqipërisë se “misioni BE-së, EULEX, i cili filloi dje më datën 9 dhjetor, duhet të shtrihet shpejt në gjithë territorin e Kosovës, në mënyrë të njëtrajtshme dhe uniforme”
Nga ana e tij, Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, Nikola Spiriç theksoi se niveli i mirë i marrëdhënieve politike, duhet patjetër të pasqyrohet edhe në rritjen e marrëdhënieve ekonomike-tregtare dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha si energjitika, siguria kufitare, kontrolli doganor dhe siguria e ushqimeve të tregtuara, duke e ilustruar këtë me praninë e Ministrit të Sigurisë dhe atij të Ekonomisë dhe Tregtisë në delegacionin që e shoqëron.
Spiriç theksoi se me hapjen e ambasadave respektive dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të duhura, shumë shpejt do të bëhet i mundur edhe lehtësimi ose liberalizimi i plotë i regjimit të vizave mes dy vendeve tona, që do të mundësonte jo vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve, por edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Gjithashtu kjo do t’i shërbente edhe përmbushjes së objektivit të përbashkëta që ndajnë dy vendet tona: atij të integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe hyrjes në Bashkimin Europian.
Po sot Spiric u prit dhe nga kreu i Bashkisë Edi Rama. Rama dhe Spiric bashkëbiseduan për sfidat dhe të ardhmen e dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit. Spiric vlerësoi punën e Ramës dhe përpjekjet e tij në drejtim të ndryshimit të kryeqytetit shqiptar. Në fund të takimit kryetari i bashkisë i dhuroi kryeministrit boshnjak celësin simbol të Tiranës. Kryeministri Nikola Spiric zhvilloi dje kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli.
(s.g/BalkanWeb)