E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyet pse Ina Rama dështoi në një vjetorin e marrjes së detyrës

Asnjëra nga dosjet e Edi Ramës nuk është çliruar nga pluhuri, asnjë material i ri burimor nuk është shtuar tek dosjet voluminoze të Bandës së Lushnjës apo gjetkë, ndërkohë që aksioni njëvjeçar është mbushur me shërbime që institucioni i kryen opozitës shqiptare, në fushatë për denigrimin e eksponentëve të mazhorancës

Redaksionale

Me përfundimin e nëntorit, kryeprokurorja Ina Rama mbylli edhe vitin e parë të saj në krye të institucionit të akuzës, një funksion i shumëkontestuar në epokat “Rakipi” e “Sollaku”, por edhe një emërim i mbushur me shpresë e me një mbështetje të gjerë politike. S’ishte shumë e vështirë për të kuptuar se Ina Ramës do t’i duhej thjesht të shkëputej nga tradita e të revolucionarizonte punën e prokurorëve, në mënyrë që ata të shkëputeshin nga stadi i “state-capture” e të mos flinin mbi dosjet e krimit.
Një vit më vonë, është gjithashtu e thjeshtë për të konfirmuar se deri më tani kryeprokurorja Ina Rama ka dështuar në detyrën e saj. Përveç dëshirës periferike për protagonizëm, e cila kohë pas kohe u lexua edhe si një keqpërdorim i skajshëm që opozita po i bënte prokurorisë për interesat e saj ngushtësisht klanore, nuk regjistrojmë dot asnjë proces të mirëfilltë që është nxjerrë nga një dosje e pluhurosur, ka dërguar në bankën e të akuzuarve një peshk të madh të korrupsionit e të politikës dhe ka mundur të bitiset me një rezultat të perceptueshëm prej të gjithëve. Më flagrant është rasti i malit me dosjet për kryebashkiakun e Tiranës të cilat tashmë nuk përbëjnë asnjë sekret, e të paktën që nga vjeshta e 2003 janë në godinën e prokurorisë së përgjithshme dhe presin pasurimin me prova e përcjelljen e tyre për në gjykatë. Ina Rama thjesht ka marrë akt për këtë aksion të paprecedentë e të merituar që opozita e dikurshme ndërmori në luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, por asgjë më tej. As për dosjet politike të Ramës së parë (Edit, kuptohet) s’kemi përparim, as për detajimin e dosjeve të Lushnjes (Aldo Bares, kuptohet) e as për ndonjë aksion të ri, që do të mundet të ç’instalojë (kryesisht) atë aparat kriminal që qe kalcifikuar në vitet e qeverimit socialist.
Përkundrazi, protagonizmi kryesor i kryeprokurores, ka qenë ndjekja hap pas hapi e akuzave të opozitës (nganjëherë, edhe duke e parakaluar atë) dhe çelja e hetimeve penale “kryesisht”, për secilën nga broçkullat që artikuloheshin në selinë e ylberistëve.
Në njëvjetorin e marrjes së funksioneve të Prokurores së re të Republikës, kemi detyrimin etik të artikulojmë zhgënjimin e përbashkët për antiperformancën institucionale. Ndoshta do të ishte krejtësisht romantike të shpresonim në një ndryshim radikal të gjendjes në një të ardhme të afërt, por gjithsesi mund të ushqejmë shpresat se këto javë bilanci mund të shërbëjnë për kryeprokuroren dhe këshilltarët e saj, ta menazhojnë më mirë energjinë e tyre në 2009-n, ndoshta së pari, duke kujtuar historinë e trishtë të deritanishme për institucionin e ri të akuzës shqiptare (demokratike, kuptohet, pasi me akuzë komuniste, jemi dëng).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›