E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria e ka fituar betejën e parë kundër korrupsionit, lufta vazhdon”

Kryeministri Sali Berisha reagon në Ditën Botërore të Luftës kundër Korrupsionit

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Ditën Botërore të Luftës Kundër Korrupsionit, se qeveria shqiptare e ka fituar betejën e parë në luftën kundër këtij fenomeni të rëndë.
Në përgjigje të interesimit të medias në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Bosnje Hercegovinës, Nikola Spiriç, kryeministri Berisha renditi si arritjet më madhore të qeverisë reformat për parandalimin e korrupsionit dhe ndëshkimin e tij.
“Me gjithë uljen dramatike të taksave, kjo qeveri arriti të mbledh në 3 vjet 3.2 miliard dollarë më shumë se sa paraardhësit e saj. Ne kursyem në prokurimet publike më shumë se gjysmë miliard euro, nga shpenzimet operative mbi 300 milionë euro”, u shpreh kryeministri.   
Duke e shpallur luftën kundër korrupsionit si përparësinë më serioze dhe më të rëndësishme të kësaj qeverie, kryeministri Berisha “e konsideroi atë një kancer që duhet luftuar në mënyrën më aktive, çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë”.
Kreu i qeverisë solli dhe një herë në vëmendje raportin e “Transparency International” për indeksin e perceptimit të korrupsionit, i cili thekson se, “Shqipëria, nga grupi i 24 vendeve me korrupsion më të lartë në botë, ka lënë mbrapa 95 vende të planetit”.
Sipas tij “ky raport thotë se qeveria ishte kampion në reformat e saj”.
Kryeministri vuri në dukje dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në monitorimin e luftës kundër korrupsionit.
“Raportet e shumta të brendshme dhe të jashtme tregojnë se mediat vuajnë nga fenomeni i kapjes, gjë që kufizon rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit shoqëria civile duhet të ketë një rol lider në monitorimin e të gjithë administratës dhe sektorit publik në raport me këtë fenomen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›