E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liberalizimi i vizave, rrit bashkëpunimin ekonomik dhe atë në fushën e turizmit”

Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për lëvizjen e lirë

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha mirëpriti dje në një takim homologun e tij të Bosnje-Hercegovinës, Nikola Spiriç. Të dy kryeministrat u shprehën të kënaqur për nivelin e marrëdhënieve politike mes dy vendeve dhe theksuan rëndësinë e intensifikimit të tyre edhe në nivele më të gjëra.
Në këtë kuadër kryeministri Berisha u shpreh se “kjo vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme përbën një kontribut madhor në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona”.
Kryeministri theksoi se, me homologun e tij Spiriç, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Kreu i qeverisë, cilësoi të një rëndësie madhore për të dy vendet nënshkrimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.
“Ministritë tona të jashtme dhe ministritë e  brendshme do të angazhohen që të nënshkruajnë të gjitha  marrëveshjet e nevojshme për ripranimin, në mënyrë që të heqim sa më shpejt vizat për qytetarët e dy  vendeve tona. Ne besojmë se liberalizmi i vizave ka një rëndësi shumë të madhe në bashkëpunimin mes dy vendeve, pasi do të lehtësojë  shumë bashkëpunimin ekonomik dhe sidomos bashkëpunimin në fushën e turizmit. Shqipëria ofron potenciale të mëdha turistike verore. Bosnje-Hercegovina është një nga vende e turizmit dimëror më të zhvilluar të rajonit, natyrisht jo vetëm dimëror, por edhe të llojeve të tjera”, nënvizoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri vuri në dukje se inkurajimi i investimeve mes dy vendeve tona është me një interes shumë të madh, ndaj dhe ministritë tona të Ekonomisë, Tregtisë dhe të Financave do të nënshkruajnë të gjitha marrëveshjet për bashkëpunimin ekonomik të suksesshëm mes dy vendeve.
Ndërsa nga ana e tij, kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, Nikola Spiriç, u shpreh se
do të dukej e pavend që Shqipëria dhe Bosnja të kërkojnë të kenë liberalizmin e vizave për sa i përket zonës Shengen, ndërkohë ende nuk janë liberalizuar vizat mes dy vendeve.
Sipas kryeministrit Spiriç, liberalizmi i vizave mes dy vendeve do të kontribuojë shumë në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të bizneseve.
Në këtë kontekst, Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Bosnje-Hercegovinë dhe njëkohësisht edhe Bosnje-Hercegovina do të hapë ambasadën e saj në Tiranë.
Shqipëria dhe Bonje-Hercegovina ndodhen në një udhë të përbashkët, drejt integrimit të plotë të strukturat e NATO-s dhe BE-së. Gjatë takimit të djeshëm me kryeministrin e Bosnjës Spiriç, kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha vuri në dukje se të dy vendet kanë firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe do të punojnë seriozisht për zbatimin e saj.
“Presim liberalizmin e vizave gjatë vitit të ardhshëm. Por ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm këtë proces bashkëpunimi rajonal”, tha Berisha.
Ndërsa kryeministri Spiriç, shtoi se “takimi me Berishën ishte një mundësi shumë e mirë që ne të shkëmbejmë eksperiencat tona për integrimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut”.
Lidhur me zhvillimet në rajon, të dy kryeministrat u shprehën në mbështetje të shpalosjes së EULEX në Kosovë dhe në tërësi vlerësuan bashkëpunimin rajonal.
Më tej, kryeministri i Bosnjës informoi se ka ftuar kryeministrit Berisha për të bërë një vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë dhe se sipas tij, “pas kësaj vizite ne shumë shpejt do të diskutojmë për arritjet konkrete mes dy vendeve tona”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›