Brukseli paralajmëron heqjen e vizave për shqiptarët, gjatë 2009-s

Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare kanë vlerësuar dy ditë më parë gjatë samitit të Brukselit, se progresi i reformave të Shqipërisë ishte i kënaqshëm dhe mendohet se në 2009-n të merret vendimi për heqjen e regjimit të vizave dhe pranimin e kërkesës së saj për të marrë statusin e vendit-kandidat për anëtarësim të plotë. Kryeministri Sali Berisha përshëndet deklaratën dhe premton përmbushjen e shpejtë të standardeve të artikuluara në samit
TIRANE - Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të mbledhur në Bruksel në takimin e tyre të fundit për vitin 2008, kishin në qendër të diskutimeve perspektivën e ardhshme të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke theksuar se viti 2009 do të jetë përcaktues për këto.
Duke evidentuar dhe njëherazi vlerësuar progres-raportin për Shqipërinë ministrat e BE-së theksuan se detyrat janë të mirë përcaktuara dhe se duhet bërë më tepër në drejtim të përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave, proces që sipas krerëve të diplomacisë evropiane, duhet të realizohet brenda 2009-ës.
Në këtë kuadër, kryeministri Sali Berisha, duke përshëndetur deklaratën e ministrave të BE-së, theksoi se qeveria që ai drejton do të përmbushë të gjitha detyrimet dhe Shqipëria prêt gjatë vitit të ardhshëm liberalizimin e vizave me BE.
“Presim liberalizmin e vizave gjatë vitit të ardhshëm. Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm këtë proces dhe njëherazi shprehim garancinë për realizmin e detyrimeve”, tha Berisha.
Sipas ministrave të BE-së, në tërësi, Shqipëria ka vazhduar që në mënyrë të pjesshme të zbatojë objektivat e saj në kuadër të liberalizimit të vizave. Ministrat ndanë vlerësim të gjerë për konkluzionet e Komisionit Evropian dhe riafirmuan mbështetje të gjerë për perspektivën Evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat mbeten thelbësore për stabilitetin, paqen dhe të ardhmen e rajonit. Gjithashtu Këshilli i Evropës riafirmoi për paanshmëri dhe kushte rigoroze që duhet të plotësohen, në kuadër procesit të Stabilizim Asoocimit dhe në konformitet të plotë me përtëritjen e konsensusit në miratimin e madh që i dha Këshilli i Evropës më 14 dhe 15 dhjetor të 2006-s.
Në diskutimet për Shqipërinë, Këshilli shprehu mbështetje të pakursyer dhe vlerësoi se progres raporti arriti të evidentojë një numër të caktuar fushash si reforma elektorale, klima e biznesit dhe implemtimi i marrëveshjes së ndërmjetme.
Së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, tre vendet që kanë qenë të inkuadruara edhe në “Adriatik 3” vlerësohen shumë më përpara se vendet e tjera të rajonit, dhe nëse nuk do të ketë ndonjë pengesë të natyrës politike, ato mund të fitojnë vendimin për heqjen e regjimit të vizave, që gjatë vitit 2009