E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet konkursi për polic, ja katër datat e testimit

Rihapet konkursi për t‘u bërë polic. Në datat 20 prill, 29 prill, 9 maj dhe 18 maj, personat që kanë aplikuar për konkursin e policisë do të kenë mundësinë të testojnë aftësitë e tyre për të kaluar në etapat e tjera, duke iu nënshtruar një rregulli të ri. Policia e Shtetit deklaroi dje se të gjithë kandidatët që kanë aplikuar deri më 31 mars, do t‘i nënshtrohen testimit me shkrim sipas disa datave.
Për qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Formimit Policor Tiranë në datën 20 prill. Testimi do të zhvillohet i ndarë në dy grupe. Në orën 07.00 do të paraqiten aplikantët e Qarkut Tiranë me kodin e aplikimit nga 0495 deri tek 0702. Në orën 11.00 do të paraqiten për t‘iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga qarqet Dibër dhe Durrës, si dhe aplikantët e Qarkut Tiranë me kodin e aplikimit nga 0703 deri tek 0852.
Për qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit "Kristal" në Fier, në datën 29 prill. Për këtë grup, policia sqaron se në orën 07.00 të datës 29 prill do të paraqiten për t‘iu nënshtruar testimit aplikantët nga qarqet Fier dhe Vlorë. Ndërsa në orën 11.00 do të paraqiten ata të qarqeve Berat dhe Gjirokastër.
Për Shkodrën, Kukësin dhe Lezhën testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit "Luigj Gurakuqi" në qytetin e Shkodrës më datë 9 maj. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07.00 pranë këtij universiteti.
Për qarqet Elbasan dhe Korçë, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan më datë 18 maj. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07.00 pranë këtij universiteti.
Gjithashtu, kandidatët duhet të paraqiten pranë drejtorive të policisë në qarqe, ku kanë aplikuar për t‘u pajisur me fletën e pranimit në testin me shkrim, të cilën do ta kenë me vete ditën e zhvillimit të testimit me shkrim. Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, korrigjimi i testimit do të bëhet me skaner dhe kandidatët do të njihen brenda ditës me rezultatin. Kandidatët që do të shpallen fitues të testimit me shkrim do t‘u nënshtrohen fazave të tjera të testimit, për të cilat do të njoftohen në vazhdimësi për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të tyre.
Policia e Shtetit, përmes këtij procesi që është ndërtuar dhe bazuar në metodat perëndimore, synon përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për të shërbyer si punonjës policie. Sipas të dhënave zyrtare, është objektiv parësor i Policisë së Shtetit të përzgjedhë vetëm kandidatët e kualifikuar si më të mirët, përcaktuar nga një proces i drejtë, transparent dhe i plotë përzgjedhjeje, në mënyrë që të përmbushë me sukses misionin e saj dhe të sigurojë një shërbim cilësor për qytetarët.
Policia ka kujtuar edhe një herë të gjithë të interesuarit, se procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë shkollës së policisë është i hapur gjatë gjithë vitit. Në përfundim, policia deklaroi se të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë zyrave të personelit në drejtoritë e policisë në qarqe, ose pranë sektorit të pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu, mund t‘i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre edhe në postën elektronike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›