Kosova dhe Bosnja, të ardhme në NATO
Flamuri shqiptar dhe ai kroat u ngritën dje zyrtarisht në selinë e NATO-s në Bruksel. Menjëherë pas këtij momenti, dy kryeministrat e vendeve respektive kërkuan pranime të reja në strukturën e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kryeministri kroat, Ivo Sanader, deklaroi se "Bosnja Hercegovina ka të drejtën për të qenë në të ardhmen atlantike". Nga selia e NATO-s në Bruksel, një apel i tillë ishte i qartë edhe në raport me shtetin e Kosovës. "Anëtarësimi i dy vendeve tona sot është një ogur shumë i mbarë për Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Ne do të jemi avokatët më të mirë të tyre, sikundër do t‘i japim çdo ndihmë të mundshme që procesi i integrimit të tyre drejt NATO-s të ecë me hapat e merituar", tha Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, nga selia qendrore e NATO-s. Për sa i përket problemit të emrit dhe diskutimit që ekziston midis dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, Kryeministri Berisha nënvizoi se "ne shpresojmë që ky problem të zgjidhet në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe të mbarë rajonit. Maqedonia e ka vendin të sigurt në Aleancën e Atlantikut të Veriut, pritet vetëm zgjidhja e problemit që ka me Greqinë". Një tjetër premtim i Kryeministrit Berisha ishte se "përkushtimin që kam pasur për anëtarësimin e vendit tim në NATO do ta shumëfishoj edhe më tej, drejt integrimit të vendit tim në BE, për liberalizimin sa më shpejt të vizave, për të cilën qytetarët shqiptarë kanë nevojë që të ndihen si qytetarë të këtij kontinenti". Që prej paradites së djeshme në orën 9.45 flamuri shqiptar dhe ai kroat valëviten në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Në këtë ceremoni, të drejtuar nga sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap De Hup Shefer, delegacioni shqiptar kryesohej nga Kryeministri Sali Berisha dhe në përbërje të tij ishte ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dhe ambasadori shqiptar në NATO, Artur Kuko. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe përfaqësuesit e delegacionit kroat, i kryesuar nga Kryeministri Ivo Sanader edhe ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Ceremonia ka nisur me himnin shqiptar, moment që është shoqëruar edhe me ngritjen e flamurit kombëtar. Më pas, është luajtur himni kroat, i shoqëruar gjithashtu me ngritjen e flamurit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, duke përshëndetur Kryeministrin Berisha dhe Sanader, u shpreh se "aderimi i Shqipërisë dhe Kroacisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Duke u bërë anëtar të plotë të NATO-s, ky është shpërblimi më i madh për përgatitjet që janë bërë për shumë vite, është një tregues i qartë i vizionit të atyre që për vite të tëra e kanë parë të ardhmen e tyre te NATO". Sipas Sheferit, të dy këto shtete tani do të kenë vendin e tyre në tryezën e Aleancës, ku merren vendime për të formësuar sigurinë tonë euroatlantike dhe të dy këto shtete tani mund të gëzojnë edhe garancitë më të mëdha të sigurisë që rrjedhin nga Traktati i Uashingtonit. Kryeministri Berisha tha se procesi i anëtarësimit në NATO ka qenë motivi më i fuqishëm i veprimit të reformave të gjithanshme të mazhorancës. "Reforma të thella kushtetuese dhe institucionale, me frymë të plotë konsensusi të paparë, kanë ndodhur këto katër vjet. Forcat tona të armatosura po shkojnë drejt një ushtrie profesioniste; kemi një buxhet mbi 2% të PBB-së dhe po aftësohen për të marrë pjesë në të gjitha misionet e NATO-s", theksoi Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare sqaroi në Bruksel mënyrën sesi do të përzgjidhet stafi që do të punojë tashmë në NATO. Pasi falënderoi të gjithë për punën e bërë deri tani nga ambasadori i Shqipërisë në NATO, përfaqësia ushtarake, gjenerali dhe të gjithë ekipi i tyre, Kryeministri Berisha u shpreh se "kalimi i Shqipërisë si vend anëtar kërkon që përfaqësitë e tyre të plotësohen me të gjithë ekspertët e funksionarët zyrtare, si dhe me të gjithë teknologjinë më të fundit që meriton kjo anëtarësi". Shefi i qeverisë premtoi se Shqipëria nuk do të kursejë asgjë për t‘i dhënë mbështetjen përfaqësisë së saj këtu, që të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga përfaqësimi i Shqipërisë si anëtare e plotë në NATO.