Aksidentet sjellin edhe tre të plagosur
Aksidentet rrugore në Tiranë vazhdojnë të sjellin të plagosur çdo ditë. Edhe gjatë ditës së hënë kanë ndodhur tri aksidente të tjera me tre të plagosur. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës shpjeguan se nga seksioni i hetimit të aksidenteve filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Shqipe Carën, 39 vjeçe, banuese në Institutin Bujqësor. Sipas policisë, ajo do të ndiqet penalisht, pasi në orën 15.10, në rrugën Institut Bujqësor-Kamzë, duke drejtuar mjetin "Nissan", me targë TR 4178 R, ka aksidentuar fëmijën Elios Goxhaj, 8 vjeç, banues në Kamzë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, nga seksioni për hetimin e aksidenteve rrugore mësohet se rreth orës 13.00 të së hënës, në rrugën "Don Bosko", Lirie Uka, 57 vjeçe, banuese në Tiranë, është aksidentuar nga motori me targë TR 588 D dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia detajoi se ka nisur punën për gjetjen dhe kapjen e autorit. Ndërkaq, po të hënën, filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për Bujar Relin, 62 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 17.00, në rrugën "Siri Kodra", duke drejtuar mjetin "Volksvagen" TR 6263 L, ka aksidentuar Klodian Muratajn, 30 vjeç, i cili lëvizte me motor dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.