E Hënë, 2 Nëntor 2026

Topi, Berisha dhe Topalli festuan Pavarësinë dhe Çlirimin

Krerët e institucioneve më të larta të shtetit festuan dje 28-29 Nëntorin, duke vendosur kurora me lule në memorialin "Nënë Shqipëri", në Varrezat e Dëshmorëve. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishin të pranishëm në ceremoninë e organizuar në nderim të Dëshmorëve të Atdheut. "I uroj shqiptarëve për këtë ditë të madhe, në të cilën rikthejmë në memorie veprën e lavdishme të atdhetarëve që luftuan për mbijetesën e popullit shqiptar", u shpreh Presidenti Topi. Kurse Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar 28 Nëntorin, si ditëlindjen e kombit, theksoi se asgjë nuk mund ta errësojë këtë faqe të ndritur të historisë. "Sot, ne kremtojmë ditëlindjen e kombit, kremtojmë heroizmin, luftën, përpjekjen e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore. Jemi më krenarë për historinë tonë, flamurin me të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë shqiptarë, flamurin për të cilin ranë mijëra djem e vajza", u shpreh Berisha. Megjithatë Kryeministri theksoi se Dita e Pavarësisë dhe Çlirimit kremtohet në prag të 8 dhjetorit, ditë të cilën Berisha e daton me shembjen e murit të Berlinit në Shqipëri. "8 dhjetori është dita tjetër e madhe e lirisë, e cila bëri të mundur që të rifitojmë lirinë, dinjitetin dita që shembi murin e Berlinit në Tiranë, dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE-së, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer", u shpreh Berisha. Demokratët e festojnë në të njëjtën ditë Pavarësinë dhe Çlirimin e Atdheut, ndërsa të majtët kremtuan dje Ditën e Pavarësisë dhe sot atë të Çlirimit. "Sot është ditëlindja e Kombit, ndaj dhe është dita e nderimit më të madh për Ismail Qemalin, burrat e mëdhenj të kombit që themeluan Shqipërinë e pavarur me masë përpjekjesh të mëdha në 1912-n në Vlorë. Është dita e nderimit të madh, ndaj qindra mijëra luftëtarëve shqiptarë, në veçanti të kryengritjeve gjigante të Kosovës, që tronditën përfundimisht të sëmurin e Bosforit", tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›