E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Berisha, konfirmojnë përfundimisht ftohtësinë brenda kampit të djathtë

Kryeministri dhe Presidenti i kthejnë kurrizin njëri-tjetrit në Festën e Pavarësisë së SHBA  
Zgjedhjet nxorën në pah më së miri ftohtësinë dhe mosmarrëveshjet mes dy drejtuesve të lartë të shtetit, kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të vendit Bamir Topi, pavarësisht se ata vijnë nga e njëjta parti. Ftohje të tilla konfirmojnë nga ana tjetër edhe vetë përçarjen mes të djathtëve, nisur nga marrëdhëniet e ngrira mes Topit dhe Berishës, të cilat janë bërë të dukshme prej kohësh, por ditët e fundit ato janë thelluar më tej. Këta të fundit kanë qenë pjesë e të njëjtës festë e organizuar nga ambasada amerikane me rastin e 233 vjetorin e pavarësisë së SHBA. Ata kanë festuar së bashku, por pavarësisht këtij fakti nuk kanë shfaqur komunikimin mes tyre. Edhe pse kanë qenë të gjithë së bashku si krerët e të majtës ashtu edhe të së djathtës, është parë që kryeministri Berisha jo vetëm që nuk ka folur me kundërshtarin e tij politik Edi Rama, por të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ndaj presidentit të vendit Bamir Topi. Një fakt i tillë është vënë re nga të pranishmit, pavarësisht se çarja, Kryeministri- Presidencë- Parlament tashmë është një temë mëse e njohur. Një largësi kjo, që është vënë re prej shumë kohësh, por nga dita në ditë po konfirmohet sa më qartë dhe më dukshëm, ku nga ana tjetër konfirmon edhe përçarjen mes vet të djathtëve. Përkrahëse e këtij qëndrimi ka qenë edhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, e cila ka mbajtur të njëjtën distancë me presidentin Topi. Marrëdhëniet Topi-Berisha kanë kohë që janë të brishta dhe mosmarrëveshjet mes dy drejtuesve të lartë të shtetit nuk janë më probleme brenda partisë. Madje, vet presidenti Topi gjatë një interviste për një të përditshme kosovare, ka deklaruar se marrëdhëniet e tij me Berishën nuk janë më si më parë, por janë vetëm marrëdhënie institucionale. Nga raportet e mëparshme personale e partiake, janë shndërruar në raporte institucionale, si përfaqësues të dy institucioneve të ndryshme dhe këto të dytat gjithmonë prevalojnë në respekt të ligjit e në mbrojtje të Kushtetutës, është shprehur Topi.
Ligji i Legalizimeve dhe Gjykata e Lartë acaruan marrëdhëniet
Presidenti Topi, pas marrjes së detyrës së kreut të shtetit, premtoi se do të qëndronte mbi palët dhe do të respektonte vetëm Kushtetutën gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Kjo deklaratë parimisht u prit mirë nga krerët e tjerë të shtetit, por kur erdhi puna për ta zbatuar në praktikë, solli pakënaqësitë e para. Marrëdhëniet midis Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha e Kryetares së Kuvendit Topalli u acaruan pas kthimit të ligjit të legalizimeve. Kreu i shtetit renditi nëntë arsyet pse duhej të rishikohej edhe një herë nga Kuvendi ky ligj, por mazhoranca nuk i mori parasysh, duke e miratuar ligjin sërish, ashtu siç ishte, pa firmën e Presidentit Topi. Më pas, marrëdhëniet arritën kulmin e acarimit të tyre, pasi Kuvendi rrëzoi pesë dekretet e para të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Tabulatet e Gërdecit nisën luftën mediatike Berisha-Topi për listën e deputetëve
Thellimi i ftohjes së marrëdhënieve Berisha- Topi është përforcuar edhe me listën e kandidatëve për deputet, ku kryeministri Berisha jo rastësisht eliminoni përkrahësit e presidentit Topi, duke i hequr ata përfundimisht nga kandidimi. Kjo duket se irritoi presidentin Topi, të cilit i cënoheshin përkrahësit e tij fanatikë. Bëhej fjalë për Aleksandër Biberajn, Besnik Mustafajn, Sali Shehun, Rexhep Karapicin, Dashnor Sulën etj, të cilët Berisha i ka sulmuar haptazi politikisht, duke i skarcuar nga pozicionet që ata kishin apo dëshironin të kishin më vonë. Nga ana tjetër, Topi ka reaguar ndaj Berishës, duke i kthyer Ligjin e Dosjeve, i cili tashmë ndodhet në Kushtetuese. Një tjetër pikë që do të ndante presidentin Topi me kryeministrin Berisha, do të ishte edhe kryeprokurorja Ina Rama. Fillimisht ajo u prit në krye të detyrës me entuziazëm nga Berisha, por gjatë punës së saj me hapjen e dosjeve korruptive të qeverisë, ngjalli pakënaqësi tek Berisha, i cili nuk hezitoi ta konsideronte  atë si të përzgjedhurën e Topit. Më tej, lufta e tyre vijoi me prapaskenat mediatike të pasqyruara në mediat e shkruara të secilit. Një nga mediat përkrahëse të Topit, pasqyroi si kryeartikull telefonatat e kryera ditën e tragjedisë së Gërdecit, mes ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, drejtorit të fabrikës Alba Demil, Mihal Delijorgji dhe djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Këto telefonata janë provë e Prokurorisë  së Përgjithshme në ngjarjen e Gërdecit, të cilat vetë kryeprokurorja Rama i ruan me fanatizëm por jo për të gjitha mediat. Publikimi i tyre faktoi lidhjet e Topit me këtë institucion. Ndërkaq, në të njëjtën ditë, një tjetër gazetë, por tashmë përkrahëse e kryeministrit Berisha, u hap me bisedën telefonike të kryer mes kryesocialistit kryebashkiak Edi Rama dhe Mihal Delijorgjit, pak orë para arrestimit të këtij të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›