Berisha, letër urimi presidentit Obama për Ditën e Pavarësisë
Kryeministri Berisha ka shprehur urimet më të përzemërta për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA. Në këtë letër të përzemërt kryeministri Berisha shprehet se me bindjen e palëkundur në universalitetin e tyre për mbarë njerëzimin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten edhe sot, rreth dy shekuj e gjysmë më pas, burimi më vezullues i shpresës, për miliona e miliona qytetarë të planetit që dëshirojnë dhe shpresojnë të jetojnë të lirë e me dinjitet, pa dallim race, përkatësie etnike, gjinie apo statusi shoqëror.
Ndaj jemi të lumtur e mirënjohës, që, nën udhëheqjen tuaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten tërësisht të angazhuara dhe të japin kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin e paqes, të demokracisë e lirisë, në luftë kundër terrorizmit e varfërisë, kudo në botë, shkruhet në letër. Kryeministri Berisha e konsideron këtë ditë të shënuar një jubile të veçantë për të gjithë miqtë e SHBA në botë dhe për shqiptarët. Në këtë drejtim Berisha përmend takimin me presidentin Obama në samitin e sivjetshëm të NATO-s, në Strasburg-Kehl, të cilin e vlerëson një çast historik. Në emër të të gjithë shqiptarëve dhe në emër të qeverisë shqiptare, kryeministri Berisha ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e mbështetjen e çmuar, që presidenti Obama, administrata e tij dhe kombi i madh amerikan, bënë për të mundësuar anëtarësimin në NATO. Ndër të tjera në letrën e tij, drejtuar presidentit të SHBA, kryeministri Berisha përmend edhe realizimin e zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve. Ai informon presidentin Obama për faktin se këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë tërësisht të qetë e konstruktive, duke dëshmuar, edhe një herë, se shqiptarët i përkasin denjësisht familjes euroatlantike, të vendeve e popujve të lirë. Shfrytëzoj rastin të ritheksoj vendosmërinë dhe angazhimin tim të plotë dhe të qeverisë, që unë kryesoj, se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju dhe me administratën tuaj, si në kuadrin dypalësh, edhe në arenën ndërkombëtare, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në të mirë të mirëqenies e të begatisë të të dy popujve tanë miq. Më lejoni edhe një herë që, në përvjetorin e dyqind e tridhjetë e tretë të Ditës së Pavarësisë, tJu shpreh urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju personalisht, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për lumturinë e begatinë e popullit mik amerikan, si dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të përshtatshme për Ju. Shfrytëzoj rastin për tJu ripohuar, z. president, sigurimet e konsideratës sime më të lartë, përfundon letra e kryeministrit shqiptar, drejtuar presidentit të SHBA, Barack Obama.