E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Bujar Leskaj në krye të KLSH-së? Mazhoranca nuk ka arsye ta refuzojë

07/12/2011  Presidenti në një intervistë lë të hapur mundësinë e krijimit të një partie në fund të mandatit

Mazhoranca nuk ka arsye ta refuzojë kandidaturën e propozuar për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi Bujar Leskaj është një person që ka dhënë kontribute akademike. Ky është mendimi i Presidentit Bamir Topi në lidhje me kandidaturën e propozuar tri javë më parë prej tij. Në një intervistë dhënë në emisionin “Pesë pyetje nga Babaramo” në televizionin “NEWS 24”, Presidenti i Republikës u shpreh se zoti Leskaj është përzgjedhur nga ai për shkak të angazhimit të tij në rrethet akademike. “Unë sot në Shqipëri e kam të vështirë të gjej një person që nuk është përfshirë në politikë. Dhe kjo e ngushton shumë hapësirën e zgjedhjes. Përveç profilit të tij politik, Leskaj është një figurë që është pjesë e rretheve akademike. Ka mbaruar tre fakultete dhe është një njohës i mirë i fushës për të cilën është propozuar që të angazhohet. Ka kontribut edhe në politik dhe kontributi i tij s’ka qenë aspak konspirativ, por ka qenë gjithmonë i hapur. Figura e Leskajt që të largohet çdo paragjykim politik dhe s’ka arsye që të mos votohet”, - theksoi Presidenti Topi. Ndër të tjera kreu i shteti u ndal gjerësisht mbi nismën e re politikë: në atë të punës së Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe atë parlamentare si dhe gjetjen e konsensusit për miratimin e ligjeve me 3/5-at. Presidenti në intervistën e tij theksoi që ky është një hap shumë i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për përmbushjen e aspiratave integruese të vendit. “Besoj së dialogu mes palëve është një hap i rëndësishëm drejt asaj që ne kërkojmë, por nuk është i mjaftueshëm. Ekzistojnë kushte të tjera që duhen plotësuar, të cilat janë bërë shpesh publike. Bashkëpunimi duhet të jetë i plotë dhe dinjitoz, pasi përbën garanci për qytetarët e partnerët dhe është vendimtar për marrjen e statusit kandidat”, -deklaroi Topi. Në përfundim të intervistës së tij Presidenti Bamir Topi la të hapur mundësinë e krijimit të një partie në përfundim të mandatit të tij si kryetar i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›