E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën

Nga Express më 21 shkurt 2011 në ora 22:06

“Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën".

Në kujtim të 20 vjetorit të rënies së diktaturës komuniste në ambientet e Presidencës u hap një ekspozitë fotografike.

"Shtrembërimi i historisë, pluhurosja e ngjarjeve dhe qëllimeve të personazheve do të dobësonte ndërgjegjen dhe kujtesën e kombit", është shprehur Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

“Demokracia, që ne po përpiqemi të ndërtojmë me aq mund, sakrifica dhe përkushtim prej më shumë se dy dekadash vërtet që nuk duhet dhe nuk mund t’i ketë themelet e veta mbi harresën, aq më keq mbi orvatjet e dështuara për të shpërndarë dhe justifikuar masën e fajit duke tentuar njehsimin e vuajtësve me xhelatët, të të përndjekurve me inkuizitorët. Ja përse kjo ceremoni e cila harmonizohet në mënyrë shumë të qartë me një fotoekspozitë në përkujtim të figurave emblematike që kanë qenë vërtet simboli i qëndresës ndaj asaj që populli shqiptar e kaloi si një traumë të pazakontë si asnjë popull tjetër për pesëdhjetë vjet, bën që ne të ndjehemi sa të emocionuar aq edhe krenarë.”

Ndërkohë sipas Presidentit të Republikës ka ardhur koha për ti rikthyer dinjitetin ish- të përndjekurve politik dhe kjo sipas kreut të shtetit nuk mund të arrihet pa vendosur drejtësi.

“Krimet duhen dënuar, qoftë edhe historikisht. Fajtorët duhen ndëshkuar, qoftë edhe moralisht! Viktimat duhet të prehen në paqe dhe të gjallët duhet të çlirohen një herë e përgjithmonë nga makthet e tyre, të bindur plotësisht që drejtësia është vënë në vend, që falja u është kërkuar sinqerisht. Vetëm në këtë mënyrë, edhe të përndjekurit vetë do të munden të falin me gjithë zemër, do të jenë në gjendje të ringrihen më krenarë se kurrë e të besojnë plotësisht se tempulli i shenjtë i demokracisë dhe institucionet e tij të pavarura mbështeten të palëkundura e të pacenuara nga askush dhe asgjë mbi themelet e forta të mësimeve të vyera, që kemi nxjerrë nga historia dhe e kaluara jonë e hidhur”, tha Topi.

Në shenjë nderimi dhe vlerësimi për qëndresën dhe rezistencën ndaj regjimit me të egër në mbarë Europën Lindore Presidenti i Republikës nderoi me medaljen e mirënjohjes disa të përndjekur politik ne vitet e diktaturës komuniste. /abcnews/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›