E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Ditë reflektimi, pres më shumë dialog

Presidenti Bamir Topi

TIRANË-  Presidenti i Republikës Bamir Topi në urimin e tij të Krishtlindjes tha se, sot ka nevojë për komunikim dhe refleksion.

Kjo festë ka një simbolikë të madhe, është festa e lindjes së shpresës dhe paqes për ti hapur rrugë komunikimit. Ka nevojë për refleksion. Unë besoj se viti që vjen do të jetë një vit i mbushur me më shumë dialog dhe arritje për Shqipërinë- tha Topi pas vizitës në Kishën Ortodokse dhe takimit që pati me kryepeshkopin Janullatos.

Urimi i Topit shkoi për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, pasi siç tha vetë Presidenti, kudo që të jenë shqiptarët zemrën e kanë tëk Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj.

Mesazhi i përvitshëm i Presidenti per festen e Krishlindjes.

Lindja e Krishtit, për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, është një ngjarje, e cila, për madhështinë e saj dhe mesazhin e shpresës dhe të përtëritjes, që për më shumë se dy mijë vjet u ka përcjellë popujve, përkujtohet solemnisht. Nën kambanat e kishës, dritën e qirinjve dhe lutjet e besimtarëve, ky kremtim i shenjtë përjetohet çdo herë, si burimi i një jete më të ndritshme e më të lehtë, që mbart frytet shpirtërore të dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, besimit, zemërbutësisë- thuhet në mesazhin e Topit.

Sipas tij, ato janë një thesar i çmuar njerëzor, të cilin për çdo vit, besimtarët e mirë dhe të ndershëm, përpiqen ta trashëgojnë, ta përcjellin e ta ndajnë në tolerancë e harmoni me njëri-tjetrin.

Këto virtyte dhe paqja e Perëndisë janë me bollëk në zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë feste ne urojmë që ato të mbizotërojnë jo vetëm në shtëpitë e besimtarëve, në tempujt e shenjtë, por edhe tek të gjithë njerëzit me vullnet e shpirt të mirë në të gjithë botën. Në kushtet e qytetërimit modern, shumë njerëz e humbasin drejtimin e tyre shpirtëror dhe moral, por, për ata që sinqerisht kërkojnë dritën e së vërtetës, besimi tek Zoti dhe tek vlerat më të larta humane do tua ndriçojë e lehtësojë udhën-përfundon mesazhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›