“Bamir Topi i ka vënë tritolin Presidencës, po tenton të dëmtojë edhe Parlamentin”

Deputeti i PD, Ilir Rusmali
Çështja “Islami” në parlament, PS harron se Kastriot Islami është reporter për një çështje me impakt ndërkombëtar
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali akuzoi dje presidentin Bamir Topi se ka shkatërruar dy nga institucionet më të rëndësishme në vend, parlamentin dhe presidencën.
“Duke mos u konsultuar asnjëherë me parlamentin për emrat që propozon, Bamir Topi i ka vënë tritolin presidencës”, është shprehur Rusmali.
Duke iu referuar problematikave brenda PS, ku spikat përjashtimi i Kastriot Islamit, Ilir Rusmali tha se “është një faktor partiak brenda PS, dhe që reflekton problematikat e brendshme të opozitës së majtë”.
Lidhur me tentativën e socialistëve për të përjashtuar Islami edhe nga delegacion shqiptar në KiE, Islami tha se ishte një tendencë konfliktuale artificiale.
Sipas tij, ky telash do ta torturojë PS-në më tej.
“Është një betejë partiake, brenda faktorëve, të kryetrarit të PS, për dominim personal. Këtë betejë, Rama donte ta zhvendoste në parlament për t’iu bërë gjyqin e radhës Kastriot Islamit, për t’i treguar deputetëve të PS se ja si përfundoi Kastriot Islami dhe kështu mund të përfundoni edhe ju. Pra, ideja ishte që t’i tregohej deputetëve të majtë se Islami s’është më i socialistëve. Por, ne s’duhet të harrojmë se kemi nevojë që paraqitemi në mënyrë dinjitoze dhe të përfaqësojmë më mirë Kuvendin dhe jo partitë politike. Historia e delegacioneve parlamentare është një histori e zgjidhur para dy viteve dhe ne kemi respektuar vullnetin e PS. Ne kemi dërguar atje njerëzit që na ka sjellë Partia Socialiste. Aq më tepër që Islami ka dhënë një kontribut të çminuar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës. Nga vlerësimi që unë mund t’i bëj Kastriot Islami, mund të them se është opozitar aktiv në Asamblenë Parlamentare të KiE. Të mos harrojmë se Kastriot Islami është raportues për Gjeorgjinë,, ndër dy pikat kryesore për debatin politik të KiE. Nga kjo pikëpamje mendoj se socialistët duhet të ishin krenarë. Rusmali tha se socialistët ngritën një debat fals në parlament, pasi numri i anëtarëve të delegacionit opozitar të KiE, është i njëjtë me një vit më parë. Këtë vit donin të përjashtonin Kastriot Islamin, në mënyrë që ta trajtonin si pseudo problem”, tha Rusmali.
Ndërkaq, kryenegociatori i Partisë Demokratike theksoi se sistemi zgjedhor nuk ndryshon, me gjithë presionin e partive të vogla, pasi ky sistem garanton stabilitet qeverisës. Deputeti demokrat, Ilir Rusmali la të kuptohet se lidershipi socialist e mbështet këtë qëndrim.