E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, legalizohen mijëra parcela ndërtimore në gjithë vendin



Parcela ndërtimore, në favor të poseduesve të ndërtimeve informale

Miratohen edhe 32 objekte për kompensimin e pronarëve

Qeveria miratoi dje legalizimin e të gjitha parcelave ndërtimore në të gjithë vendin. Kështu të gjitha ata që disponojnë parcela toke afër ndërtimeve pa leje, do të mund t’i legalizojnë. Këto parcela kalojnë në pronësi të poseduesve të ndërtimit informal. Procesi i legalizimit të këtyre parcelave do të ecë paralel me legalizimin e ndërtimeve pa leje. Ky vendim i ka hapur rrugën procesit të kalimit në pronësi të tyre. Tashmë menjëherë Agjencia e Legalizimeve do të nënshkruajë kontratat e shitblerjes me poseduesit e saj, duke i bërë automatikisht pas nënshkrimit të kontratës, pronarë të parcelave.

Vendndodhja e parcelave

Në qarkun e Tiranës ndodhen 1.449 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 634.051 m2. Në qarkun e Vlorës ndodhen 1.306 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 517.079 m2. Në qarkun e Shkodrës ndodhen 75 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 24.176 m2. Në qarkun e Elbasanit ndodhen 1.036 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 314.664 m2. Në qarkun e Lezhës ndodhen parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 58.310 m2. Në qarkun e Kukësit ndodhen 40 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 18.690 m2. Në qarkun e Gjirokastrës ndodhen 63 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 20.143 m2. Në qarkun e Fierit ndodhen 47 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 17.757 m2. Në qarkun e Durrësit ndodhen 441, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 172.107 m2. Në qarkun e Beratit ndodhen 81 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 25.095 m2.

Ish-pronarët

Njëkohësisht qeveria vendosi dje kalimin në fondin e kompensimit fizik dhe vënien në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të 32 objekteve shtetërore, të “Albminiera” sh.a., dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pasi të bëjë verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit për objektet, përbërëse të fondit të mësipërm, do ta përdorë për kompensimin e pronarëve, sipas kritereve të përcaktuara në ligj. Pas verifikimit përfundimtar, të bërë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronat, të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, të hiqen nga fondi i kompensimit fizik.

Shpronësohen pronarët e aksit Levan-Tepelenë

Qeveria ka vendosur dje të shpronësojë të gjithë pronarët që preken nga ndërtimi i aksit Levan-Tepelenë. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për sipërfaqen 401.780 m2 tokë arë, me vlerë 195.339.652, për sipërfaqen 2.397 me vlerë 1.260.577, për sipërfaqen 2.665 me vlerë 338.016 lekë, objekte, me vlerë 55.838.369 lekë dhe me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 252.776.614 lekë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 3.482.500 lekë do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

Likuidohen të gjithë punonjësit e ish-Kombinatit të Tekstileve

Qeveria miratoi dje një fond prej 96 milionë lekësh të vjetra për likuidimin e të gjithë ish-punonjësve të Kombinatit të Tekstileve në Tiranë. Ky fond përfshin pagat e prapambetura, sigurimet, shoqërore e shëndetësore, dhe tatimin mbi pagë, për periudhën prill-dhjetor 2006, si dhe vitet 2007 e 2008.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›