E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Durrës-Kukës, arritje e jashtëzakonshme



“Debatet që bëhen për rrugën janë antishqiptare”

“Jam penduar që e dekorova Skënder Becajn”

Rruga kombëtare Durrës-Kukës, në gjykimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, është e vonuar. Pa dashur të përzihet në çështjen gjyqësore rreth saj, kreu i shtetit e quajti vendimmarrjen politike për sa i përket ndërtimit të kësaj rruge, si më të rëndësishmen e shqiptarëve. Ai akuzoi se qarqe të caktuara antishqiptare kanë qenë dhe janë të interesuara për mosndërtimin e saj, për ta lënë të shkëputur dhe të izoluar Shqipërinë nga Kosova. “Rruga duhej të ishte bërë vite më parë. Është lënë me qëllim që Shqipëria dhe Kosova të mbeten të shkëputura. Kjo arterie është një arritje e jashtëzakonshme. Debatet që bëhen për rrugën janë antishqiptare, kurse çështja gjyqësore i përket drejtësisë dhe nuk më takon mua, por vendimmarrja politike është më e rëndësishmja dhe më dominantja që i hap rrugën dhe i intensifikon marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndien keqardhje dhe njëherësh është i penduar për dekorimin që i bëri prokurorit Skënder Becaj. Ai ka vendosur ta korrigjojë këtë “lapsus”, duke e korrigjuar shumë shpejt atë me rivendosjen në moralin e vet. Për herë të parë që nga vendimi i tij, kryetari i shtetit, Bamir Topi, pranoi mbrëmë në “Top Story” pendesën ndaj dekoratës që i dha xhelatit komunist që kishte mundur të depërtonte edhe në institucionet demokratike të pas viteve ‘90. Madje ka qenë angazhimi i tij në sistemin e drejtësisë gjatë kohës së pluralizmit politik, që ka ndikuar tek Presidenti për t’i dhënë dekoratën prokurorit Becaj. Kreu i shtetit, para gazetarit Sokol Balla, tregoi si arriti deri tek dekorimi i Becajt, të cilin nuk e ka njohur personalisht dhe si ndjeu persekucionin e këtij vendimi edhe nga familjarët e vet. “Pa dyshim ndiej keqardhje dhe bëhet fjalë për një person, personazh që unë nuk e kam njohur personalisht dhe e gjithë procedura e dekorimeve që realizon institucioni i Presidentit, ndjek një rrugë të caktuar institucionale. Për fat të keq, qoftë në momentin e propozimit, qoftë në momentin e filtrimit, këtu ka pasur një handikap dhe me bindje e them se është një procedurë për t’u rivendosur, për t’u rigjeneruar”, - tha z. Topi. “Por, - shtoi ai më tej, - gjithmonë në të gjitha hulumtimet e vrojtimet që kam bërë rreth kësaj procedure, stafi që ka asistuar është mjaftuar vetëm me referencat e fundit”. Topi bëri të ditur se ka marrë parasysh që ky personazh ka punuar në institucione të rëndësishme në vitet e demokracisë, në Gjykatën e Lartë, në prokurori dhe për një periudhë të caktuar kohe, në KLD dhe ka mjaftuar për të thënë se gjithçka është e bardhë. “Ndiej keqardhje dhe pa dyshim gjithçka do të rivendoset në moralin e vet. Pra nuk ka të bëjë fare me asnjë lloj ndjeshmërie individuale, pasi ju e dini ndjeshmërinë e thellë, respektin tim për shtresën e të përndjekurve politikë, sepse e kam ndier këtë persekucion edhe në familjen time”, - deklaroi Presidenti i Republikës.

Hapja e dosjeve, e vonuar

Presidenti i vendit ka bindjen e plotë se procesi i hapjes së dosjeve është i vonuar. Ai e mbështet tërësisht vendimin e mazhorancës së djathtë për të bërë verifikimin e figurave publike, pa u ndalur në përfshirjen ose jo të disa kategorie njerëzish. Z. Topi pa dashur të futet në perceptimin e largimit të disa prokurorëve apo gjyqtarëve nga sistemi i drejtësisë, foli dhe për projektligjin e vitit 2006, mbi të cilin kishte hedhur firmën si ish-kryetar i grupit parlamentar të PD-së. “Besoj që duke respektuar pozicionin tim, duhet të jem i kujdesshëm për të mos paragjykuar nga pikëpamja e përgatitjes ligjore. Deri në këtë moment ligji ende nuk ka ardhur, por politikisht qysh në ditët e para pas vendosjes së demokracisë dhe në mënyrë frekuente unë jam shprehur për hapjen e dosjeve. Nuk është problemi për të diferencuar kategori të ndryshme, por njerëzit që pretendojnë të marrin poste politike apo influencojnë në vendimmarrje, patjetër duhet të kenë një të kaluar të pastër”, - deklaroi z. Topi. Për sa u përket ndryshimeve mes dy drafteve, atij të 2006-ës dhe 2008-ës, Topi bëri të qartë se nuk mund të vendoset një pozicion i dyfishtë, pasi atëherë kishte një pozicion politik, kurse tani është kryetar shteti. “Ai dokument i nënshkruar nga unë ka qenë i përgatitur mjaft mirë dhe jo individualisht, por me vullnetin e grupit të PD-së dhe natyrisht që i qëndroj atij varianti edhe sepse kam nënshkruar. Këtë radhë më duhet kohë për t’u konsultuar me ligjin”, - theksoi z. Topi. Për sa u përket kritikave të ndërkombëtarëve rreth ngutjes së bërjes së ligjit dhe a do të sjellin ato ndonjë ftohje të marrëdhënieve mes tyre dhe qeverisë shqiptare, Topi bëri të ditur se si Evropa ashtu dhe SHBA, janë dhe do të vazhdojnë të jenë një mbështetje e fortë e vendit tonë për aspiratat integruese të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›