E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj kërkon fonde për fushatë në SHBA

Kreu i G99-ës nis letra tek shqiptaro-amerikanët

Kodi Zgjedhor nuk lejon financime nga të huajt

Erion Veliaj i kërkon ndihmë financiare diasporës shqiptare për fushatën elektorale. Në një letër tip, dërguar shumë shqiptaro-amerikanëve, Veliaj kërkon ndihmë financiare nga 250 deri në 500 dollarë për fushatën e ndryshimit në Shqipëri. Kërkesa bie ndesh me dispozita të Kodit Zgjedhor për financimin e partive politike. Kodi Zgjedhor parashikon disa modalitete në lidhje me financimin e fushatave elektorale. Mes të tjerave përcaktohet qartë se donacionet mund të merren nga persona fizikë e juridikë vendas. Në ligj thuhet se subjektet zgjedhore mund të marrin për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas, por jo nga të huaj. Shuma që çdo donator mund të japë, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë të reja ose kundërvlefta në sende ose shërbime. “Standard” ka arritur të sigurojë një prej këtyre letrave që i është nisur një prej organizatave shqiptaro-amerikane. Në letër Veliaj kërkon ndihmë financiare nga 250 deri në 500 dollarë për fushatën e ndryshimit në Shqipëri. Por ndërkohë, kreu i G99-ës del për herë të parë hapur duke mbrojtur idetë e hedhura nga Rama përtej një politike të majtë e të djathtë, duke i kërkuar personit që i shkruan se pavarësisht këtij vizioni, fitorja varet nga ndihma që mund të japë diaspora shqiptare. “Vizioni ynë shkon përtej së majtës dhe së djathtës tradicionale në Shqipëri, por fitorja jonë varet nga ndihma dhe mbështetja juaj. Ne do të çmonim kontributin tuaj në shuma mes 250 deri në 500 dollarë për fushatën tonë të ndryshimit në Shqipëri”, - shkruan Veliaj. Më tej, kreu i G99-ës i sugjeron mikut të tij që të japë donacione në sitin zyrtar të G99-ës në internet. “Ne po mbledhim çdo cent dhe po bëjmë çdo gjë që mundemi me aq sa kemi. Por çdo ditë ne shohim se duhen më shumë se ato që kemi dhe mundemi aq më tepër kur vonohen donacionet tuaja. Ju mund të na ndihmoni sot duke na dhënë donacione në sitin tonë online http://g99.org/ donate”, - thuhet në këtë letër. Në letër, kreu i G99-ës thekson se strategjia e veprimit të tyre do të jetë agresive për të arritur ndryshimin e politikëbërjes në rast se do të ketë aktivizim vullnetar që duan të kontribuojnë financiarisht. “Ato që ne kemi kërkuar në politikë, kërkojnë edhe një ndihmë. Kjo nuk është hera e parë që ne po ju kërkojmë ndihmë dhe nuk do të jetë hera e fundit. Idetë dhe strategjia jonë agresive për të ndryshuar politikëbërjen në Shqipëri do të funksionojë vetëm në rast se do të ketë aktivizim vullnetar të cilët do të pranojnë të kontribuojnë financiarisht dhe fizikisht me përvojën e tyre. G99 nuk është një parti private dhe ne nuk jemi një politikanë tipikë shqiptarë me një të shkuar të dyshimtë. Ne jemi të rinj, energjikë dhe duam të përdorim kapacitetin tonë dhe eksperiencën tonë ndërkombëtare në shërbim të vendit”, - nënvizon Veliaj në letër

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›