E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Gati për tryezën, po kontaktoj me palët

Kreu i shtetit i hap udhë  mbajtjes së tryezës së  dialogut

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka hapur udhë punës padyshim të vështirë  për konkretizimin e thirrjes së tryezës politike që pritet të sjellë një kompromis politik mes mazhorancës dhe opozitës. Në një mesazh politik të shpërndarë nga zyra e shtypit, bëhet e ditur se “Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama”. Ky vullnet i liderëve, i realizuar pas disa serish të gjata negociatash e bisedimesh jo formale, ku pjesë e rëndësishme ka qenë vetë Presidenti i Republikës, kanë bërë që kreu i shtetit të marrë frymë lirisht dhe të nisë atë që ka kërkuar edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me anë të rezolutës së miratuar më 28 janar.
Në mesazhin publik theksohet se “Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”. Ndërkaq, burime në Presidencë theksojnë se përpjekjet kanë nisur prej kohësh me një plan të detajuar mirë për të realizuar një tryezë që do të sjellë në një marrëveshje reale dhe të pakontestueshme. Ndërkaq, në lidhje me datën e zhvillimit të tryezës, ende nuk është konfirmuar asgjë, por kanë nisur koordinimet me axhendat dhe vullnetet e Kryeministrit Berisha, kreut të opozitës, Edi Rama, por edhe faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, që do të “mësyjnë” Tiranën në ditët e dialogut të shumëpritur. Në fillim të javës së ardhshme pritet të zhvillohet një seri konsultimesh me stafet përkatëse për të diskutuar datën e tryezës, protokollin e saj, kohëzgjatjen, por ajo që është më e rëndësishmja, draftin që pritet të miratohen. Ditën e sotme mund të ketë një komunikim nga Strasburgu për udhëtimin e delegacionit të madh në Shqipëri. Siç edhe deklaroi pak kohë më parë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, pjesa më e madhe e negociatave për tryezën do të zhvillohet e mbyllur dhe me negociatorë që do shëtisin në Kryeministri dhe në selinë rozë për të këmbyer sinjalet dypalëshe. Një burim diplomatik i tha “Shqip” se data e mbajtjes së tryezës do të jetë pas 18 shkurtit, kur dhe do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i OSBE-së, nga i cili pritet të dalë një frazë shumë e rëndësishme për çështjen kyçe: atë të hapjes së kutive.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›