E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi, frikë nga tenderët elektronikë: Sabotohen ofertat

Takimi
Sistemi online, i pacertifikuar. APP, Cankja: Zgjidhje të shpejtë

Sistemi elektronik i zhvillimit të tenderëve paraqet një sërë problemesh të evidentuara nga biznesi. Në takimin e zhvilluar dje me Agjencinë e Prokurimit Publik, organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë, bizneset i paraqitën drejtoreshës Klodiana Cankja një sërë shqetësimesh. Problemi i parë qëndron te siguria e ofertave, të cilat paraqiten përmes internetit në faqen zyrtare të APP-së. “Kush më garanton që oferta ime nuk është zbuluar nga konkurrenti përmes lidhjeve që ka me institucionin. Kush jep siguri për sistemin elektronik, ndaj të cilit nuk kam asnjë informacion rreth certifikimit të tij”, tha përfaqësuesi i një kompanie në fushën e teknologjisë së informacionit. Për drejtuesen e APP-së, përgjigjja nuk ishte shumë e thjeshtë, dhe në fund përmendi faktin se tani në muajin shkurt do të përzgjidhte kompania që do të certifikojë sistemin elektronik.
Një tjetër problem po aq i madh është vlerësimi i ofertave nga persona që nuk kanë eksperiencën e duhur, apo që nuk janë të fushës. “Si mund ta vlerësojë ofertën time një juri, anëtarët e të cilës nuk kanë, ndoshta as shkollë apo njohuri të duhura, duke më hedhur poshtë të gjithë punën”, u ankua një tjetër biznes, kësaj here në fushën e ndërtimit. Cankja vuri në dukje se rol të rëndësishëm në zhvillimin e tenderëve ka edhe profesionalizimi i bizneseve. “Ka shumë rëndësi fakti i përgatitjes dhe profesionalizimi i biznesit, sa i takon hartimit të dokumenteve në tender. Jeni ju që ankoheni për padrejtësi në tenderë dhe jeni po ju që duke u ankuar i zvarrisni qëllimisht procedurat, me qëllim mundësinë e ndonjë përfitimi”, tha shefja e APP-së.
Duke u ndalur te ligji i ri i prokurimit publik, një firmë e huaj ngriti shqetësimin sa i takon procedurës së ankesës. “Sipas ligjit të ri, ne duhet të paguajmë para se të bëjmë apelimin. Kjo nuk më duket e drejtë. Tjetër fakt pengues për investitorët është afati i paraqitjes së ankesës në gjykatë, nga 30 ditë në 5 ditë, që nuk është i mjaftueshëm për të përgatitur ankesën”, tha një investitor i huaj. “Tarifat janë vendosur për të frenuar ankesat pa fund e logjikë të biznesit. Kush pretendon me të vërtetë që i është bërë padrejtësi në tender, le të paguajë, dhe nëse fiton, i kthehet shuma. Këtë praktikë ndjekin edhe vendet e tjera. Kurse sa i takon afatit të ankesës, gjykoj se 5 ditë janë të mjaftueshme, pasi gjykata konsiderohet hallka e tretë e ankimit dhe prosupozohet që dokumentet janë gati”, u përgjigj Cankja.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›