E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë në lekë do të kushtojnë më lirë, ulet norma bazë e interesit



Ervin KOÇI

Banka e Shqipërisë ka vendosur që tu japë një stimulim kredive bankare në monedhën vendase, duke bërë që ato të kushtojnë më lirë për të gjithë klientët. Për këtë qëllim BSH-ja ka ndërmarrë veprimin e shumëpritur të uljes së normës bazë të interesit për Lekun, duke i dhënë një mundësi më tepër ekonomisë dhe monedhës vendase që të forcohen. Në fjalë të thjeshta, kjo gjë nënkupton se interesat e kredive në lekë do të jenë më të lira nga më parë dhe shtetasve shqiptarë mund tu leverdisë më mirë marrja e kredive në monedhën vendase, kur dhe të ardhurat i kanë në këtë monedhë. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, e ka deklaruar dje uljen e normës bazë gjatë një konference për shtyp pas përfundimit të Mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Ulja e normës bazë të interesit ka qenë me 0.5 për qind, duke e çuar atë nga 5.75 në 5.25 për qind. Megjithatë, Guvernatori Fullani, theksoi se tendencat pozitive të ekonomisë mbeten të brishta dhe tani duhet parë me kujdes në aktivitetin e ardhshëm ekonomik, nën prizmin e një optimizmi të kujdesshëm. “Gjatë vitit 2009-të vendi u ndikua nga kriza ekonomike, po ka vijuar rritjen ekonomike dhe presionet e brendshme inflacioniste mbeten të kontrolluara. Gjatë 6 muajve të parë të 2009-ës Shqipëria ka pasur rritje pozitive ekonomike”,- tha Fullani. Sipas BSH-së, gjatë 6-mujorit të parë ka pasur një rënie të eksporteve dhe investimeve, ndërsa deficiti vjetor ka shënuar një rënie të lehtë, por megjithatë vazhdon të mbetet ende i lartë.

Investimet

Tërheqja e investimeve të huaja sipas BSH-së, duhet të përbëjnë fokusin më të madh të politikave të zhvillimit. “Ka ardhur momenti që të gjithë aktorët duhet të analizojnë me kujdes modelin e rritjes ekonomike të vendit në dekadën që po hyjmë. Në veçanti, modeli i ardhshëm i rritjes ekonomike duhet të faktorizojë më shumë avantazhet konkurruese të ekonomisë shqiptare, duke zbutur varësinë e saj nga flukset afatshkurtra hyrëse të kapitalit dhe duke zgjeruar bazën ekonomike e cila gjeneron flukse të qëndrueshme dhe afatgjatë kapitali. BSH-ja në periudhat që do të vijojnë mbetet e angazhuar që të jetë një zë i rëndësishëm në këtë drejtim”- tha Fullani. Rezultatet e fundit që flasin për rënie të aktivitetit ekonomik, rënie të kreditimit dhe rënie të flukseve hyrëse të valutës duket se kanë qenë argumentet që kanë çuar BSH-në të ulë normën bazë të interesit. Sipas Fullanit, sfidë për ekonominë vazhdon të mbetet ngadalësimi i kredisë në sektorin privat. Bankat e nivelit të dytë vazhdojnë të aplikojnë kushte mjaft shtrënguese në dhënien e kredisë.

Deficiti buxhetor

Qeveria ka rritur shpenzimet buxhetore jashtë mundësive të kapaciteteve prodhuese në vend. Deficiti buxhetor gjatë muajve të fundit është rritur me 23 për qind si pasojë e tejkalimit të shpenzimeve qeveritare, ndërkohë që qeveria është detyruar të përdorë dhe të ardhurat nga privatizimet. Në lidhje me këtë çështje Guvernatori i BSH-së, Fullani, i ka kërkuar qeverisë të tregojë kujdes. “Shpenzimet buxhetore kanë pësuar një rritje prej 23 për qind duke reflektuar kryesisht rritjen e shpejtë të shpenzimeve kapitale. Të ardhurat buxhetore kanë pasur një ecuri më të ngadaltë se shpenzimet, si pasojë e ngadalësimit të rritjes ekonomike. Shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe rritjes së huamarrjes publike”- u shpreh Fullani. Sipas Guvernatorit, kjo situatë do pasojë me potenciale të pakta të financimit të tregut shqiptar, gjë që mund të ndikojë në ecurinë ekonomike të vendit.

Kompania “Belleair” sjell për herë të parë në vend 3 vjon Airbus A320

Kompania e fluturimeve “Belleair” prezantoi futjen në linjë të 3 avionëve “Airbus A320” si dhe 1 avioni “ATR 72-500” i sapodalë nga fabrika. Në ceremoninë e promovimit ishin të pranishëm kryeministri Sali Berisha, ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, i Transporteve, Sokol Olldashi, drejtues të medieve të ndryshme, si dhe drejtues të kompanisë Belleair. Përfaqësuesit e drejtimit të kompanisë vunë në dukje faktin se “Belleair” u krijua në qershor të vitit 2005 dhe e filloi aktivitetin e tij më 1 mars 2006, fillimisht me një avion të tipit “MD82” duke fluturuar në 7 destinacione në drejtim të Italisë. Në më pak se 4 vjet, “Belleair” është bërë tashmë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e Aviacionit Civil Shqiptar, duke përmirësuar ndjeshëm fluturimet e tij nëpërmjet Tiranës dhe Prishtinës me Evropën, në bazë të një strategjie “Loë Cost”. Aktualisht Belleair fluturon në 24 destinacione të ndryshme. Kjo kompani realizon më shumë se 43 për qind të lëvizjes së pasagjerëve nga dhe për në aeroportin e Tiranës. Mendohet që deri në fund të vitit “Belleair” të transportojë rreth 630 mijë pasagjerë. “Duke pasur si detyrë parësore, shërbimin dhe kujdesin e plotë ndaj klientëve, me futjen në linjë të këtyre avionëve, Belleair do t’u krijojë më shumë komfort pasagjereve duke mbajtur një standard të lartë”, - premtuan drejtuesit e kompanisë.

"ProCredit Bank" merr çmim nga "Fitch Ratings"

"Fitch Ratings" ka rikonfirmuar së fundmi vlerësimin e "ProCredit Bank" Shqipëri për performancën e saj pozitive në biznes, i cili konsiderohet një lajm shumë i mirë për bankën, klientët e saj dhe Shqipërinë. Më 21 tetor 2009, "Fitch Ratings" e vlerësoi "ProCredit Bank" me një monedhë të huaj për periudhë afatgjatë me IDR ‘B+‘; Pritshmëri të Qëndrueshme, dhe me një monedhë vendase dhe të huaj për periudhë afatshkurtër me IDR ‘BB-‘; Pritshmëri të Qëndrueshme. "ProCredit" është banka e parë dhe e vetme në vend e vlerësuar për më shumë se 5 vjet nga "Fitch Ratings". Sipas njoftimit, vlerësimet e "ProCredit" reflektojnë mbështetjen e aksionerëve të saj, në veçanti të "ProCredit Holding" AG, më i madhi në të gjithë grupin. Vlerësimi konfirmoi gjithashtu bazën e depozitave të shumëllojshme vendase në bankë, likuiditetin e kënaqshëm, kontrollin e centralizuar dhe menaxhimin e riskut. Gjithashtu cilësia e aseteve ka vazhduar të jetë e qëndrueshme gjatë vitit 2009. "Fitch Ratings" është një agjenci globale vlerësimi e përkushtuar për t‘i dhënë tregjeve botërore të kredisë opinione të pavarura, studime dhe informacione mbi kredinë. "Fitch Ratings" ka 50 zyra dhe mbulon mbi 150 vende në mbarë botën dhe njihet botërisht nga investitorë, emetues dhe bankierë për një vlerësim në kohë, transparent dhe të besueshëm.

KESH: “Të rritet çmimi i energjisë, jemi nën kosto”

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mbështet rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Drejtori Muharrem Stojku, tha se KESH është dakord me propozimin e OSSH-së për të rritur çmimin, pasi sipas tij energjia e shitur është nën kosto. “KESH vetë ka aplikuar në këtë rritje për çmimin e energjisë për tarifën që ka vetë KESH. Këtë aplikim e kemi dërguar në Entin Rregullator të Energjisë, që përcakton në mënyrë sasiore, se sa do të jetë çmimi i energjisë. Ne kemi kërkuar një tarifë minimale të mundshme, në mënyrë që të arrijmë kostot dhe disa variante mbi kostot. Ne kemi kërkuar që çmimi i kostos të jetë 2,55 lekë. Çmimi i kostos tonë na del duke shlyer edhe detyrimet për brenda afatit 5 vjeçar, pa kryer investime të mëdha”- u shpreh Stojku. Pak ditë më parë Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike bëri kërkesë zyrtare te ERE për rritje të çmimit nga 0,5 lekë për kilovat/orë ne 0.9 lekë për kilovat.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›