E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dita e sakrificës dhe përkushtimit ndaj Zotit

Kryeministri Sali Berisha u ka uruar shqiptarëve festën e Fiter Bajramit nga Shkodra, ku ka bërë një vizitë në Myftininë e këtij qyteti. Kryeministri shprehu urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë në këtë ditë, të cilën e cilësoi një ditë në të cilën njeriu nderon sakrificën dhe përkushtimin ndaj Zotit, besimit dhe së mirës. "Shfrytëzoj rastin për t‘u përcjellë besimtarëve myslimanë të Shkodrës, të mbarë Shqipërisë dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë gëzuar këtë ditë të shenjtë, Ditën e Bajramit, ditën në të cilën njeriu nderon sakrificën dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit, besimit dhe së mirës. Gjithçka e mirë që ekziston sot dhe që e gëzon njeriu është e ndërtuar mbi sakrificën dhe përkushtimin e tij", u shpreh Kryeministri. Më tej ai theksoi se në këtë aspekt, Dita e Bajramit është një frymëzim i madh, është një ditë shprese, një ditë besimi të madh, një ditë e cila të bën të shohësh i sigurt drejt së ardhmes. "Gjej rastin të falënderoj me mirënjohjen më të thellë udhëheqësit e Komunitetit Fetar Mysliman, e Komunitetit Fetar Katolik dhe e komunitetit Fetar Ortodoks për punën e madhe që kanë bërë në rindërtimin e besimeve fetare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›