E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Hiqni dorë nga bllokimi në ditën e zgjedhjeve

28/04/2011  Presidenti i Republikës apel partive për të mos cenuar procesin zgjedhor

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë dje apel që t’i jepet fund bojkotit zgjedhor në çastet e fundit, një skenar i paralajmëruar shpesh nga forcat politike në vend për zgjedhjet e 8 majit. Këto deklarata Presidenti Topi i bëri gjatë një takimi me vëzhguesit vendorë dhe të huaj të zhvilluar në Presidencë. Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm ambasadori amerikan Arvizu dhe ambasadori i OSBE-së Volfart, kreu i shtetit theksoi rëndësinë që ata do të kenë në rolin e tyre për 8 majin për vëzhgimin dhe monitorimin e korrektesës dhe zhvillimit të zgjedhjeve vendore të lira dhe sipas standardeve demokratike. Duke iu referuar ditës së votimit, Topi theksoi se “praktikat e së kaluarës për ndryshime komisionerësh në ditët e fundit të zgjedhjeve, duke ia besuar administrimin personave militantë, por të patrajnuar më parë me procedurat ligjore, ato të kontrollit dhe keqpërdorimit të komisionerëve nga kandidatë ose parti politike, si dhe çdo praktikë bllokuese apo edhe ato abuzuese me sondazhet në fazën e përfundimit të votimit, sigurisht që është koha të marrin fund”, - tha Presidenti. Ndërkohë duket se kreu i shtetit nuk pajtohet as me ndryshimet në sistemin elektoral, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në cilësinë e kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhje. “Në këto zgjedhje kemi shumë subjekte elektorale, disa parti të reja, por krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, për shkak të sistemit të ri zgjedhor, kemi rënie drastike të kandidatëve të pavarur apo alternativave lokale politike. Me shqetësim kemi konstatuar një numër minimal të përfaqësimit të grave dhe vajzave në listat e kandidimit nominal e partiak si dhe në komisionet e administrimit zgjedhor. Në anën tjetër, po me shqetësim kemi konstatuar një numër kandidatësh nominalë me probleme në identitetin politik dhe në cilësitë e përfaqësimit”, - tha Topi. Ndërsa në lidhje me transparencën e zgjedhjeve, me pritshmëritë dhe në vlerësim të punës së vëzhguesve të paanshëm dhe profesionistë, ai u shpreh se gjatë këtyre ditëve sytë e publikut do të jenë të drejtuar nga burime të paanshme e të besueshme, të cilat janë aty në emër të ligjit në mbrojtje të parimeve ligjore, të interesave qytetare dhe interesave publike. “Transparenca dhe zbatimi rigoroz i ligjit janë elemente të rëndësishme të procesit zgjedhor, sepse vlerësojnë ato vlera e parime për të cilat ne jemi angazhuar dhe të cilat nuk mund të shprehen vetëm me numra formalë në fletët e votimit”, – u shpreh Topi. Në përfundim të fjalës së tij Presidenti u bëri thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë masivisht në votime më 8 maj. “Ato janë motivi që ne ndodhemi sot këtu para qytetarëve shqiptarë për t’i inkurajuar ata të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, të gjykojnë me votën e tyre kandidatët dhe programet politike dhe t’i garantojmë ata për një proces sa më të rregullt zgjedhor, për votë të lirë, të fshehtë dhe të garantuar”, - përfundoi Topi.

Komisionet

“I ftoj partitë politike të mos përfitojnë nga monopoli bipolar në administrimin zgjedhor për të bllokuar apo imponuar procesin ligjor e teknik. Të mos i shfrytëzojnë numrat e shumicës në komisione të niveleve të ndryshme për të cenuar sadopak klimën zgjedhore, barazinë apo integritetin e zgjedhjeve. I ftoj ato të dëshmojnë maturi e vullnet politik për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje, duke dalë kështu mbi interesat e çastit”, - tha Topi

Shqetësimet e Topit

“Informacionet për premtime në shkëmbim të votës, tregtim të votës, presioneve administrative për votë partiake apo forma të tjera abuzimi me votën, megjithëse sporadike, nëse jetësohen, përbëjnë akte ta padenja dhe të papranueshme. Praktikat e së kaluarës për ndryshime komisionerësh në çastet e fundit të zgjedhjeve, duke ia besuar administrimin personave militantë, është koha të marrin fund”, - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›