E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Më 8 maj votë për të vetmen rrugë

28/04/2011  Kreu socialist takime me banorë të njësisë bashkiake nr. 5

“Qytetarët e dinë mirë se çfarë fshihet pas buzëqeshjes së “Eleonorës””

“Unë jam i bindur se profili prej ‘Eleonore’ i koalicionit ‘Aleanca për Qytetarin’ është një profil vetëdiskretitues. Qytetarët e dinë mirë se çfarë fshihet pas buzëqeshjes së ‘Eleonorës’ dhe pas premtimeve të ‘Eleonorës’, që të nesërmen do të gdhihen të lumtur dhe do gdhihen me gjithçka ata ëndërrojnë.” Ky ishte një nga mesazhet e përcjella dje nga kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë takimeve me banorë të njësisë bashkiake nr. 5 në Tiranë. Kështu, përmes fjalish të shoqëruara me doza ironie, kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Rama, përkufizoi përmbajtjen e filozofisë që përfaqëson koalicioni i djathtë. “Ka një ngjashmëri në substancën e atij koalicioni, i cili në të vërtetë është diçka tjetër dhe përpiqet të duket si diçka krejt tjetër. Kanë marrë përsipër të shfaqen si një fuqi çudibërëse. Ndërkohë janë një kalbëzim moral, kalbëzim politik, kalbëzim shpirtëror i plotë. Besojnë se ky popull gënjehet kollaj. E thonë me njëri-tjetrin se ‘këta njerëz duan t’i gënjesh, t’i gënjejmë sa më shumë, t’ju themi çdo gjë që duan të dëgjojnë dhe pastaj t’i tërheqim pas vetes si të ishin dele’. Por nga ana tjetër, edhe ata vetë e dinë se kjo nuk mund të ndodhë kështu”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Por ndërkohë, duke vijuar më tej në një përkufizim të tillë, kreu socialist shtoi se “për këtë shkak kanë angazhuar mbrapa fasadës së fushatës pozitive ‘ju jeni të parë’, ‘shtëpia e qytetarëve’, ‘jeni ju, pa jemi ne’ një presion të shtrirë në çdo hapësirë ku kanë kontrollin e bukës së gojës mbi njerëzit, mbi nëpunësit, mbi mësuesit, mbi mjekët, mbi policët. Deri dhe në Gardë bëjnë presion mbi ushtarët e thjeshtë, sepse e kanë të pamundur t’ia dalin me çdo mënyrë tjetër”. Ndërkohë që gjatë bisedës me këta banorë Rama sqaroi një çështje tjetër, e konkretisht me votën më 8 maj. “Është shumë e rëndësishme që gjithë njerëzve t’u përcjellim të qartë dhe të fortë mesazhin që të gjitha presionet synojnë vetëm tkurrjen, frikësimin, dekurajimin, sepse në të vërtetë vota është e fshehtë. Askush s’mund ta kontrollojë. Askush s’mund të veprojë bazuar mbi votën. Të gjithë ata që sot janë të kërcënuar në bukën e gojës, sepse kanë një rrogë shteti, duhet ta kuptojnë se kanë një arsye më shumë që jo vetëm të shkojnë në votim, por të votojnë me bindje të plotë për “Aleancën për të Ardhmen”, u shpreh Rama, duke shtruar në këtë mënyrë dhe kërkesën thelbësore për një situatën në të cilët ndodhet vendi, atë të zgjedhjeve administrative. Po kështu në argumentet e tij Rama nënvizoi faktin se “Aleanca për të Ardhmen” është aleanca e secilit prej tyre me njëri-tjetrin dhe me të gjithë të tjerët që duan një Shqipëri dhe një shoqëri të pashantazhueshme, ku presionet dhe kërcënimet të jenë absolutisht të pamundura dhe të jenë gjëja më e ndëshkueshme nga vetë qytetarët.”

Evidentimi

“Kanë angazhuar mbrapa fasadës së fushatës pozitive ‘ju jeni të parët’, ‘shtëpia e qytetarëve’, ‘jeni ju, pa jemi ne’, një presion të shtrirë në çdo hapësirë ku kanë kontrollin e bukës së gojës mbi njerëzit, mbi nëpunësit, mbi mësuesit, mbi mjekët, mbi policët. Deri dhe në Gardë bëjnë presion mbi ushtarët e thjeshtë, sepse e kanë të pamundur t’ia dalin me çdo mënyrë tjetër. Kjo është e vetmja mënyrë që, në fakt, dinë të përdorin.”

Mesazhi

Që e nesërmja të jetë vërtet e lumtur dhe ëndrrat të bëhen realitet, ka vetëm një rrugë: rruga e të vërtetave të thjeshta, rruga e sakrificave të vërteta, e punës së madhe, e projekteve dhe e përpjekjeve që bazohen te vetëdija se asgjë nuk bëhet dot me premtime të rreme, por gjithçka bëhet me punë konkrete. Unë jam i bindur se profili prej “Eleonore” i këtij koalicioni është një profil vetëdiskretitues.”

PS për listat

Tahiri: Vijojnë regjistrimet fiktive në kryeqytet

Partia Socialiste vijoi dje denoncimin e manipulimeve me listat e zgjedhësve në Tiranë. Deputeti socialist Sajmir Tahiri ishte dje në njësinë nr. 6 në Tiranë, ku denoncoi regjistrimin fiktiv të banorëve që nuk kanë jetuar në kryeqytet, por që kanë ardhur në Tiranë rishtazi. Sipas Tahirit, është bërë verifikimi në çdo banesë të kësaj njësie dhe ka rezultuar se në një kasolle të pabanueshme rezultojnë të jenë banorë 18 persona. Deputeti socialist denoncoi dhe prindërit e Luzhiana Abazit, kryetares së njësisë bashkiake, të cilët, sipas Tahirit, rezultojnë të banojnë në një lavash. “Janë banorë të sjellë rishtazi për të votuar në njësinë nr. 6. Por PS-ja nuk do të lejojë që mercenarët të votojnë më datën 8 maj”, - u shpreh Tahiri, duke paralajmëruar njëkohësisht se socialistët do të bëjnë kallëzim penal për ata që i kanë regjistruar dhe për të regjistruarit. “Kemi përgatitur një padi penale për të gjithë ata që kanë vënë dorë nëpërmjet këtij mekanizmi mbi procesin elektoral dhe listat e votuesve dhe së shpejti do ta dorëzojmë në prokurori. Gjithashtu kemi përgatitur dhe padi penale për secilin nga këta, emër për emër, për këta votues fiktivë, që vijnë në Kombinat dhe në të gjithë Tiranën për të prishur procesin zgjedhor dhe jo për të votuar realisht. Ndaj ne do t’i bëjmë publikë ditë pas dite, duke i garantuar qytetarët se nuk do lejojmë në asnjë mënyrë që procesi zgjedhor të manipulohet nga Saliu, nga Lulëzimi apo nga Luzhjana dhe Luzhjana të tjera në njësitë e tjera të Tiranës”, - vlerësoi Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›