E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Jahjaga: Marredhëniet mes dy vendeve, do të intesifikohen

Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës dhe Shqipërisë do të zhvillohen e intensifikohen më tej në të gjitha drejtimet, në të mirë të kombit tonë dhe paqes e stabilitetit afatgjatë në rajon. Në këtë drejtim, dy krerët e shteteve Bamir Topi dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga theksuan rëndësinë e hartimit dhe realizimit të projekteve konkrete nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit në fusha si infrastruktura, energjetika, drejtësia, turizmi, arsimi, etj.

Të dy krerët e shteteve fqinje ndodhen në Varshavë për të marrë pjesë në Takimin e 17-të të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, nga ana e saj, duke shprehur kënaqësinë për takimin me presidentin Topi, theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojnë të forcohen e konsolidohen më tej, në interes të të dy vendeve tona fqinje e mike.

Presidentja Jahjaga falenderoi kreun e shtetit shqiptar për përpjekjet e tij të vazhdueshme institucionale, por dhe personale, për shtimin e njohjeve të shtetit të ri të Kosovës nga vende të tjera të botës. Presidentja e Kosovës, theksoi se “Kosova është shtet i ri që ka ndikuar e po ndikon në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon, ndërsa është angazhuar për forcimin e politikës së jashtme, së bashku me institucionet e pozitës e opozitës kosovare, duke hartuar edhe një strategji për këtë qëllim”.

Gjithashtu, duke u ndalur në procesin e ri të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen për kontributin e shtetit shqiptar edhe në këtë drejtim, duke nënvizuar se “së bashku, përmes bashkëpunimit reciprok, do të vijojmë të punojmë për të përmbushur detyrimet për integrimin në Bashkimin Evropian”.

Në këtë takim, Presidenti Topi e ftoi presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›