E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor hedh poshtë kërkesën e PS

27/05/2011  Pushohet çështja e tabelës së rezultatit për njësinë numër 5

Sot vendimi për fletët e kontestuara të gjendura në kutitë e gabuara

Herion Mesi

Kolegji Zgjedhor ka pushuar dje kërkesën e Partisë Socialiste për mosmiratimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ-së 49 nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas dëgjimit të pretendimeve nga ana e palëve të paditura (KQZ), atyre të interesuara (Partia Demokratike) dhe pretendimit të palës paditëse (Partia Socialiste), Kolegji Zgjedhor, pasi u tërhoq për të marrë një vendim, pasditen e djeshme vendosi “të pushojë çështjen për KZAZ-në 49”. Ndërsa sot pritet të zhvillohet seanca tjetër, ku Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë animimin e Partisë Socialiste, e cila i drejtohet këtij Kolegji që të shpallë të pavlefshëm procedurën dhe vendimin e KQZ-së, datë 18 maj 2011, kur u vendos për numërimin e fletëvotimeve të hedhura në kutitë e gabuara.

Seanca

Me anë të avokatit të saj, Eno Bushi, PS-ja u kërkoi dje anëtarëve të Kolegjit që të miratohet kërkesë-padia e tyre për tabelën përmbledhëse të KZAZ 49, të cilën KQZ-ja nuk e miratoi brenda afatit ligjor të parashikuar në nenin 123 të Kodit Zgjedhor, duke akuzuar KQZ-në që ka vepruar në tejkalim të çdo afati ligjor për nxjerrjen e rezultatit të Tiranës. Në leximin e relacionit mbi kërkesën ankimore të paraqitur nga PS-ja, avokati Bushi theksoi se “në përfundim të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhjetë KZAZ-të e kësaj zone aprovuan tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ-ja nr. 49 nuk e miratoi këtë tabelë”. Por nga ana e palës së paditur, përfaqësuesja ligjore Dëshira Pasku i kërkoi Kolegjit që ta pushojë këtë çështje, duke qenë se KQZ-ja e ka marrë një vendim mbi çështjen në fjalë. “Kemi këtu dy aktet e miratuara nga KQZ-ja në datën 23 maj, që kanë të bëjnë me shpalljen e tabelave të rezultateve, si dhe aktin për shpalljen e fituesit për Bashkinë Tiranë. Duke qenë se këto vendime i kemi, ne si KQZ e mendojmë se kjo seancë nuk ka kuptim që të vazhdohet më tej, ndaj ju kërkoj që çështja të pushohet”, u shpreh dje Dëshira Pasku, përfaqësuesja ligjore e KQZ-së.

Mbrojtja e KQZ, vendimet

“Pasi ka përfunduar procesi i i dorëzimit të tabelave përmbledhëse në 11 KZAZ-të e Bashkisë Tiranë dhe miratimin e vendimit nr. 710 të tabelës përmbledhëse të rezultatit të KZAZ-së 49, dhe me vendimin numër 711, datë 23.05.2011 për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë ka nxjerrë rezultatin e zonës zgjedhore sipas tabelës që i është bashkëngjitur këtij vendimi”, tha përfaqësuesja e KQZ, Dëshira Pasku.

KQZ: Çështja të pushohet

“Ne mendojmë se shkaku për të cilin është bërë ankimi në Kolegj, “Mosmarrja e vendimeve nga KQZ pikërisht për këtë objekt”, në këto momente nuk ekziston më, pasi KQZ-ja me vendimin 710 dhe 711 ka marrë pikërisht vendimin për miratimin e tabelës së zonës KZAZ nr. 49 dhe nxjerrjen e rezultatit të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë; mendojmë se nuk ekziston më objekti i padisë dhe në këto kushte kërkojmë në mbështetje të nenit 158 të Kodit Zgjedhor pushimin e gjykimit”, tha Pasku.

Kutia e fundit në njësinë 5

Në seancën e djeshme bëhej fjalë pikërisht për rezultatin e kutisë së fundit, nga numërimi i së cilës kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Edi Rama, doli në avantazh me dhjetë vota. Në kushtet kur KZAZ-ja 49 nuk e miratoi rezultatin e dalë nga kutia e 485-të, PS i kërkoi Kolegjit ta detyrojë KQZ që ta miratojë rezultatin dhe, pasi të bëjë shumatoren e procesverbaleve të numërimit të 11 KZAZ-ve, të shpallë rezultatin paraprak për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Damian Gjiknuri

“Gjykimi në themel nuk ka përfunduar. Kolegji mund të jepte një vendim të drejtë edhe sot. Ne kemi paraqitur kërkesën për 1 tabelë përfundimtare të rezultatit, dhe akti tjetër që ne e quajmë si normativ dhe kemi kërkuar të shpallet i pavlefshëm. Çështja nuk ka mbaruar, megjithëse po ju përsëris se Kolegji i kishte të gjitha provat që të jepte edhe sot një vendim që KQZ ka shkelur ligjin”, deklaroi pas shpalljes së vendimit deputeti socialist Damian Gjiknuri.

Oert Bylykbashi

Me anë të avokatit të saj, PD kërkoi dje që Kolegji të mos shqyrtojë ankimin e PS-së. “KZAZ-ja 49 nuk arriti ta plotësonte në kohë, për shkak të mospasjes së kuorumit të nevojshëm prej katër anëtarësh që bënte një gjë të tillë, të cilën e realizoi KQZ-ja, e cila funksionoi si KZAZ. PD kërkon rrëzimin e padisë së bërë nga PS, pasi vendimet e marra nga KQZ-ja nuk përfshihen në ndonjë afat kohor të parashikuar nga ana e ligjit. Ndaj kjo çështje është e pushuar”, tha Bylykbashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›