Zyrtare, prokurorët pa imunitet
Trazhgim Sokolaj
Projektligji “Për Prokurorinë” ka marrë formë përfundimtare dhe përfaqësuesit e akuzës, duket se kanë dalë të humbur në këtë betejë, për shkak se në dokumentin final është lënë në fuqi heqja e imunitetit të prokurorëve. Pika më e debatueshme e draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë ka mbetur në dokument, edhe pse palët zhvilluan negociata mes tyre për gati një muaj, në prani të ekspertëve të misioneve ndërkombëtare të pranishme në Tiranë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje, se nga Ministria e Drejtësisë ka mbërritur dokumenti final i draftit. “Dokumenti përfundimtar i mbërritur në Prokurori, tani, pas kaq negociatash të zhvilluara me Ministrinë e Drejtësisë, përmban heqjen e imunitetit të prokurorëve, pikën më të kundërshtuar prej nesh”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, edhe ndryshimet e tjera, që janë bërë në projektligj janë të pjesshme dhe ndryshojnë shumë pak nga përmbajtja fillestare e draftit, e cila shkaktoi reagimin e ashpër të Prokurorisë. Organi i akuzës dhe vetë prokurorët shfaqën kundërshtime të hapura për përmbajtjen e draftit, ku i jepet e drejtë ministrit të Drejtësisë të kontrollojë Prokurorinë dhe çdo gjashtë muaj të raportojë në Kuvend për punën e saj. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme janë shprehur në mënyrë të hapur të pakënaqur me rezultatet e arritura gjatë bisedimeve me Ministrinë e Drejtësisë dhe ndryshimeve të bëra në draft. Sipas Prokurorisë, edhe dokumenti final i projektligjit, për shkak të ndryshimeve të lehta, sërish konsiderohet rrezik për cenimin e pavarësisë së prokurorëve dhe institucionit të akuzës. Sipas burimeve të Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë ka dërguar dokumentin përfundimtar “për mendim”, duke lajmëruar se drafti do të kalojë në Qeveri.
Ministria
Dikasteri i Drejtësisë konfirmoi dje, se ka nisur për në Prokurorinë e Përgjithshme, dy variante të draftit. “Më 6 tetor 2008, Prokurorisë së Përgjithshme i janë dërguar dy variante të projektligjit, me ndryshime të pjesshme, ku është kërkuar dhënia e mendimit për to, brenda datës 16 tetor”, thanë burimet zyrtare nga Ministria e Drejtësisë. Sipas tyre, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka thyer asnjë përgjigje edhe pse nga data e lajmëruar prej Ministrisë, tashmë ka kaluar më tepër se një javë. Ministria e Drejtësisë pranoi, se në dokumentin final të draftit është pasqyruar parashikimi për heqjen e imunitetit të prokurorëve. “Nuk do të ketë imunitet për prokurorët. Prokurorisë i janë dërguar dy variante të projektligjit të hartuara me pjesëmarrjen e dy përfaqësuesve të saj, por edhe të ekspertëve të misioneve ndërkombëtare si Euralius, që kanë qenë dakord me heqjen e imunitetit të prokurorëve”, thanë më tej burimet nga dikasteri i drejtësisë. Prokurorët nga ana tjetër, akuzuan duke thënë se ftesa e tyre për të marrë pjesë në diskutime mbi projektligjin, duket se ka qenë formale për shkak se në draftin përfundimtar u përfshinë ndryshime të pjesshme, që nuk asgjësojnë rrezikun që i kanoset pavarësisë së organit të akuzës.
Pikat e diskutueshme të draftit
• Hiqet imuniteti i prokurorëve.
E kundërshtuar plotësisht nga Prokuroria
• Ministria e Drejtësisë ka dy anëtarë me të drejtë vote në Këshillin e Prokurorisë
• Ulet paga e Prokurorit të Përgjithshëm, barazohet me pagën e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
E kundërshtuar nga Prokuroria
• Prokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit pezullohen me fillimin e procedimit penal.
E kundërshtuar
• Prokurorët shkarkohen pas regjistrimit të procedimit penal.
E kundërshtuar nga Prokuroria
• Transferimi i prokurorëve në detyrë bëhet vetëm me marrjen e pëlqimit prej tyre.
E aprovuar nga Prokuroria
• Prokurori i Përgjithshëm përcakton numrin e përgjithshëm të funksioneve organike për prokurorë në të gjitha shkallët, pas konsultimeve me ministrin e Drejtësisë.
E kundërshtuar nga Prokuroria
• Ministri i Drejtësisë kryen inspektime të vazhdueshme në Prokurori dhe çdo gjashtë muaj paraqet në Kuvend, raport për të dhënat e mbledhura, duke propozuar masat ndëshkimore tek prokurori i Përgjithshëm. Ky i fundit ka të drejtën e debatit pas raportimit të ministrit.
E kundërshtuar nga Prokuroria
• Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është 5 vjet, pas largimit nga detyra kryeprokurori mund të konkurrojë për Shkallën e Parë dhe të Dytë të akuzës