E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e A3: Gati për në NATO

• Vendet e Kartës Adriatik 3, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, kanë hartuar një artikull ku premtojnë se do të vazhdojnë me reformat edhe pasi të marrin ftesën e anëtarësimit për në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit muajin e ardhshëm.ADI SHKEMBIKëto vende mbështeten edhe nga anëtarja e NATO-s, Bullgaria. Në deklaratë thuhet se "Tashmë, vendet e A3 janë të afta të dëshmojnë se ato po hyjnë në Aleancë me një vizion të qartë për të ardhmen e Evropës Juglindore. Siguria është çështje delikate. Ajo nuk është dhe aq e dukshme në jetën e përditshme të njerëzve; që një vend të dëshmojë se është i mbrojtur, nuk është e nevojshme që ai të përfshihet në kriza. Përfitimet nga siguria kolektive janë të mëdha edhe në kohë paqe". "Fillimi i muajit prill sjell një mundësi për zgjerimin e NATOS me tre vende të reja anëtare nga Evropa Juglindore. Këto vende janë Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kroacisë, të grupuara në Kartën Adriatik 3. Që kjo të ndodhë, këto vende duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre deri në Samitin e NATO-s në Bukuresht, për të përfunduar detyrat e shtëpisë, duke u dërguar aleatëve një sinjal bindës se reformat në këto vende do të vijojnë edhe pasi anëtarësimi i tyre të jetë bërë fakt i kryer", vijon më tej artikulli i nënshkruar nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Ivailo Kalfin, ministri i Jashtëm dhe i Integrimit Evropian të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshovski. Sipas deklaratës vendet e A3 kanë parë gjithnjë anëtarësimin në NATO, jo thjesht si një mjet për përmirësimin e sigurisë së tyre të tanishme, por edhe si një synim që i çon ato drejt zhvillimit afatgjatë, konsolidimit të vlerave demokratike të vendeve tona dhe hapjen e vazhdueshme të shoqërive tona ndaj rajonit dhe më gjerë. Më tej thuhet se bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s në rajon dhe vendeve kandidate, ka qenë tejet i rëndësishëm për të përshpejtuar përgatitjet për anëtarësim në Aleancë, për forcimin e frymës së solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët për siguri. Ky parim, sipas deklaratës, ka çuar Bullgarinë në ndërmarrjen e angazhimeve dhe mbështetjes konkrete për vendet e "Adriatik 3", në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në NATO. Më tej thuhet se tre vendet do të vazhdojnë të punojnë çdo ditë që ka ngelur nga Samiti i Bukureshtit për t'u anëtarësuar. "Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kroacisë do të vijojnë të punojnë në mënyre aktive në ditët dhe javët që vijnë për t'u anëtarësuar. Pasi anëtarësimi të jetë bërë fakt, secili prej këtyre tre vendeve do të vijojë me këto reforma, të cilat kërkojnë më shumë kohë dhe përpjekje të shumëfishta. Vendet e Grupit të Adriatikut e dinë se angazhimi i ndërmarrë prej tyre për një qëndrim konstruktiv rajonal, për marrëdhënie të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, duhet të përsëritet çdo ditë me veprimtari konkrete", theksohet më tej në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›