E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Karamanlis: E ardhmja e shteteve të Ballkanit është në gjirin e BE-së



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave kryeministrin e Republikës së Greqisë, Kostas Karamanlis. Presidenti i Republikës i përcolli z. Karamanlis kënaqësinë e veçantë për të pritur, për herë të parë, në një vizitë zyrtare në Tiranë, kryeministrin e një vendi mik, i një vendi partner strategjik dhe, së fundi, i një vendi aleat në familjen e madhe të sigurisë dhe demokracisë, në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në vijim, kryetari i shtetit i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet e gjithanshme që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe shprehu bindjen se dhe kjo vizitë dhe bisedimet që po zhvillohen me këtë rast, në frymën e miqësisë dhe vizionin e një bashkëpunimi me interes të ndërsjellë, do t’u shërbejnë konsolidimit dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Në këtë kontekst, presidenti Topi u shpreh se “fryt i këtij bashkëpunimi të ngushtë dhe i frymës së mirëbesimit ishte edhe nënshkrimi sot i marrëveshjes mes të dy vendeve”. Gjatë bisedës, presidenti Topi e njohu kryeministrin Karamanlis me disa prej momenteve më të rëndësishme në ecurinë e reformave integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përgatitjen e klasës politike shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë për të realizuar me sukses zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Kryetari i shtetit vuri në dukje se “aktualisht jemi të angazhuar në mbylljen me sukses të procesit të prodhimit dhe pajisjes së shtetasve me letërnjoftime që është e një rëndësie parësore edhe për shkak të përdorimit të tyre si mjet identifikues gjatë këtyre zgjedhjeve”. Intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh në aspektin ekonomik u nënvizua si një nevojë dhe perspektivë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje klimën e përshtatshme dhe mundësi të gjera e konkrete që Shqipëria ofron për investitorët e huaj, duke nxitur kështu më tepër investime të bizneseve prestigjioze greke në vendin tonë në fusha të ndryshme si dhe rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Nga ana e tij, kryeministri Karamanlis, pasi falënderoi për mikpritjen e ngrohtë me të cilën u prit së bashku me delegacioni që e shoqëron, shprehu “kënaqësinë që po viziton Shqipërinë mike”, duke nënvizuar “përparimin e madh të bërë gjatë viteve të fundit si përsa u përket marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”.
Kreu i qeverisë greke e uroi Presidentin e Republikës për arritjen e madhe historike të Shqipërisë, anëtarësimin e saj me të drejta të plota në NATO, duke vënë në pah faktin se “një tjetër vend fqinj u bë edhe aleat në Aleancën e madhe të Atlantikut të Veriut”.
Kryeministri Karamanlis theksoi qëndrimin e njohur të qeverisë dhe popullit të tij në mbështetje të plotë të orientimit euroatlantik të Shqipërisë dhe e siguroi presidentin Topi se kjo mbështetje do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme edhe më tej. Zoti Karamanlis ndau të njëjtën pikëpamje me kreun e shtetit shqiptar se “e ardhmja e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në gjirin e familjes europiane dhe institucioneve të saj dhe kjo do të ishte një garanci absolute për qëndrueshmërinë dhe begatinë e rajonit tonë”.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›