E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis përshëndet Kuvendin: “Zgjedhjet parlamentare, të rëndësishme për integrimin”



Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, është pritur në takim dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërkohë që ka përshëndetur me fjalën e tij dhe Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare Karamanlis përgëzoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe shprehur mbështetjen e Greqisë për procesin integrues të Shqipërisë në BE. Karamanlis e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO moment të rëndësishëm historik. Më tej kreu i qeverisë greke është ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri duke i cilësuar ato të rëndësishme për integrimin në BE. “Bashkimi Europian i jep rëndësi zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, shtetit të së drejtës, përballimin e korrupsionit dhe respektimin e të drejtave minoritare”,- theksoi kryeministri grek, përpara deputetëve në kuvend.
Kreu i qeverisë greke konsideroi si shumë të rëndësishëm minoritetin grek në Shqipëri, duke theksuar se shërben si urë miqësie mes dy vendeve. Ndërkaq, Karamanlis nënvizoi se Greqia është pro zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesave të Shqipërisë për shanse reciproke biznesi. Ndër të tjera kryeministri grek ka uruar nga foltorja e kuvendit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO duke theksuar se Shqipëria do të kontribuojë në një klimë konstruktive në rajon.
“Kam mbështetur integrimin euroatlantik të Shqipërisë, me anëtarësimin në NATO, hapet kapitull i ri historik edhe për rajonin, për shkak së Shqipëria mund të kontribuojë në një klimë konstruktive”, - tha Karamanlis.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›