E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Kryeministri flet për zhvillim të bujqësisë, kur çdo gjë importohet

TIRANE- Paraditen e sotme kryetari i FRD, Bamir Topi zhvilloi takime me tregëtarët e fruta-perimeve te Pazari i Ri, ku ndodhet edhe një prej tregjeve më të mëdhenj në kryeqytet. Në fjalën e tij për mediat, Topi vuri theksin te mungesa e politikave për zhvillimin e bujqësisë dhe importin e pothuajse çdo produkti nga jashtë vendit. “Sot shohim se si kryeministri shkon në çdo fshat dhe flet për bujqësinë dhe zhvillimin e saj, ndërkohë që në këtë treg dhe në të gjithë vendin shiten produkte që vijnë nga jashtë të cilat janë më të shtrenjta se ato që prodhohen në vend”, tha z.Topi. Më pas ai foli per mundësitë që duhet t’i hapen prodhimit vendas dhe vazhdoi: “Si mund të ndodhë një gjë e tillë në një kohë kur jemi në kulmin e sezonit të prodhimit dhe mundësitë janë që fshatari shqiptar të furnizojë jo vetëm tregun e brendshëm, por edhe atë të jashtëm”.

Kryetari i FRD akuzoi edhe politikën për parcelizimin e pronës private, që sipas tij ka ndikuar në uljen e prodhimit, ndërsa ka folur edhe për sigurinë ushqimore. “Të gjithë kërkojmë prodhime të shëndetëshme nga fshati, por e rëndësishme është t’u krijohen mundësi fermerëve për t’i
sjellë ato tek qytetari sa më të ushqyeshme. Sa më shumë të prodhojë fshati aq më mirë ushqehet qyteti dhe rritet mirëqenia e banorëve”,
vazhdoi z.Topi.

Më pas z.Topi, shpalosi edhe programin e FRD-së për bujqësinë. “Ky sektor është një nga bazat e ekonomisë së vendit dhe në programin tonë
përfshin një vend të veçantë. Në këtë drejtim duhen politika zhvillimi që të prodhohet në çdo stinë të vitit dhe nga jashtë të importohen vetëm
ato që nuk mund të prodhohen në vend, pasi vetëm kështu mund të rrisim sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e të gjitha zonave të vendit”,
përfundoi kryetari i Frymës së Re Demokratike.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›