Topi: Kuvendi ka nevojë për kontributin e të gjithëve
Një ditë para fillimit të sesionit të ri, Presidenti i Republikës thekson se Kuvendi është tempulli i debatit politik, ku duhet të zhvillohet angazhimi qytetar dhe kushtetues për të forcuar më tej demokracinë parlamentare
TIRANË - Një ditë para fillimit të sesionit të ri kuvendor, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, apelon se Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë.
"Kauza euroatlantike dhe e ardhmja e vendit mund të kërkojnë që, për interesa shumë të rëndësishme kombëtare, ju të ngriheni mbi interesat e partive që përfaqësoni, por të keni ndërgjegjen e qetë se nuk keni tradhtuar interesat e qytetarëve që ju kanë besuar të ardhmen e tyre, duke kontribuar kështu edhe për rikthimin e besimit të humbur tek politika e politikanët", - thuhet në përshëndetjen publike, që Presidenti i Republikës drejtoi dje para popullit, një ditë para fillimit të punimeve të Legjislaturës së XVIII të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë mesazhit të tij publik, Presidenti i Republikës i është drejtuar gjithë klasës politike shqiptare ndaj dhe përshëndetja e tij vjen edhe në një situatë delikate, ku Partia Socialiste ka paralajmëruar mospjesëmarrjen në Kuvend deri në plotësimin e disa kushteve. Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit ka theksuar se Kuvendi është tempulli i debatit politik, ku duhet zhvilluar i gjithë angazhimi qytetar dhe kushtetues.
"Kuvendi i Shqipërisë është tempulli kombëtar i debatit politik, ku ju duhet të zhvilloni angazhimin qytetar dhe kushtetues për të forcuar më tej demokracinë parlamentare pluraliste, për të ballafaquar politikisht vizionet, për të ndarë publikisht përgjegjësitë e respektin pozitë-opozitë, por sidomos për të bashkëbiseduar me njerëzit me përgjegjësinë e madhe politike, për t'u shërbyer atyre në katër vjetët e ardhshme",- tha Topi.
Kreu i Shtetit shprehu besimin se partitë politike do të dinë të përmbushin me përkushtim këtë mision të rëndësishëm në një dimension të ri demokratik, duke iu referuar kësaj here edhe përfshirjes së deputeteve femra në Kuvend.
"Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë çast drejt rrugës së prosperitetit. Populli shqiptar pret me padurim një të ardhme akoma më të mirë. Sfidat, sikurse përgjegjësitë, janë të mëdha si në angazhimet politiko-institucionale, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
Së bashku, duke iu larguar interesave të ngushta, duke menduar si shtetarë të përgjegjshëm, duhet të punojmë që Shqipëria të mbyllë përfundimisht vitet e vështira të tranzicionit politik dhe të forcojë themelet e qëndrueshme të një shoqërie demokratike, ku liria, respekti ndaj vlerave e meritave, të kthehen në çelësin e suksesit dhe sigurinë për të ardhmen e këtij vendi. Vetëm vullneti i përbashkët mund ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një terren debati profesional e konstruktiv dhe jo në arenë beteje politike shterpë", - tha Topi.
Sipas tij, shpejtësia integruese në Bashkimin Evropian varet nga vazhdimi i reformave të guximshme për shtetin ligjor, për barazinë e vërtetë politike, për një drejtësi të standardeve europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës, për të përsosur institucionalisht ndarjen dhe respektin e ndërsjellë të pushteteve e pavarësinë e tyre, për të ndërtuar ligje që zgjidhin probleme në mënyrë të drejtë, profesionale dhe efektive.
"Sigurimi i jetës së qytetarëve, forcimi i rendit, arsimimi cilësor i fëmijëve tanë, reformimi bashkëkohor i sistemit shëndetësor, përballja me efektet negative të krizës ekonomike globale dhe lufta kundër varfërisë janë disa nga betejat ligjore që Kuvendi duhet të fitojë gjatë mandatit të tij", - tha Topi.
Presidenti i Republikës tha së qytetarët treguan përgjegjësi politike
Zgjedhjet, Topi: Qytetarët treguan pjekuri
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka thyer heshtjen sa i përket vlerësimit të tij për zgjedhjet e 28 qershorit. Edhe pse i rezervuar në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, citoi se zgjedhjet e 28 qershorit ishin një ditë e shënuar, ku qytetarët dëshmuan pjekuri dhe përgjegjësi politike.
"Më 28 qershor, në këtë ditë të shënuar, qytetarët e vendit tonë dëshmuan përgjegjësi politike, pjekuri, mençuri të admirueshme nëpërmjet pjesëmarrjes së lartë, e sidomos mënyrës civile e demokratike të sjelljes, me shpresën e besimin se përfaqësuesit në Kuvendin e Shqipërisë do të mishërojnë interesat e tyre dhe do të luftojnë më mirë për t'i mbrojtur ato.
Duke i përgëzuar, shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë për gjithë popullin shqiptar, i cili 28 qershorin e memorizoi si ditën e qytetarisë, të denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian",- tha Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ky është qëndrimi i dytë që Kreu i Shtetit mban për zgjedhjet. Ditën e 28 qershorit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bëri apel të gjitha partive politike që ta kalojnë ditën e zgjedhjeve me mesazhet e duhura.
"Ne duhet të demonstrojmë sot që jemi një vend që kemi arritur në një stad të rëndësishëm të demokracisë, që dëshirojmë ta konsolidojmë demokracinë dhe që të kemi mundësi pas këtyre zgjedhjeve që, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, rruga drejt Bashkimit Evropian të jetë një rrugë e hapur, njerëzit të lëvizin të lirë dhe shumë shpejt, patjetër do të jemi pjesë edhe zyrtarisht e familjes së madhe evropiane",- ishte deklarata e Topit më 28 qershor të këtij viti.
Seanca pritet të drejtohet nga Fatos Beja. Hapi i tyre, ngritja e komisionit për verifikimin e mandatit
Kuvendi, sot nis punimet sesioni i ri parlamentar
TIRANË - Kuvendi do të fillojë sot punimet e sesionit të ri parlamentar, ku një pjesë e konsiderueshme e deputetëve do të marrin pjesë për herë të parë. Në mbledhjen e sotme gjithçka pritet të jetë formale, ku deputeti më i vjetër në moshë do të hapë punimet.
Pas refuzimit të Kryeministrit Berisha për drejtimin e seancës si deputeti më i vjetër dhe mungesës së deputetëve të PS-së, punimet e legjislaturës së re do të hapen nga deputeti i PD-së, Fatos Beja. Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Menjëherë, Kuvendi zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe duhet, për sa është e mundur, të përfaqësojë përbërjen politike të Kuvendit, siç del nga rezultati i zgjedhjeve.
Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij.
Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Menjëherë pas verifikimit të mandateve, deputetët ftohen të bëjnë betimin sipas një teksti të posaçëm, i cili lexohet nga drejtuesi i seancës dhe deputetët ftohen, një e nga një, të ngrihen më këmbë dhe të deklarojnë: "Betohem". Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë, në të cilën marrin pjesë.
Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit, ku kandidati për kryetar propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe ku një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Pas administrimit të kandidaturave, kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve.