Kërcënon gruan me pistolete, arrestohet
TIRANË - Një 39- vjeçar është arrestuar dje nga policia e kryeqytetit në orët e para të mëngjesit, pasi mësohet se gjatë një sherri në familje ka tentuar të vrasë gruan e tij. Gëzim Bajrami, është arrestuar pasi ka kërcënuar me pistoletë gruan e tij, emri i të cilës nuk është bërë i ditur nga blutë e Komisariatit nr. 4.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4 00 të mëngjesit, në banesën e çiftit Bajrami pranë "Maternitetit të Ri", në Tiranë kur 39- vjeçari pas një konflikti me bashkëshorten e ka kërcënuar këtë të fundit se do ta vriste. Sipas të dhënave mësohet se Bajrami nuk ka mundur të qëllojë, pasi ndërhyrja e shpejtë e policisë ka bërë që të shmanget vrasja e gruas.
Autori i dyshuar i ngjarjes mësohet të ketë qenë në gjendje të dehur në momentet kur ka filluar sherri në familje. Pas mbërritjes së efektivave të policisë, është bërë dhe arrestimi në flagrancë i Gëzim Bajramit , ndërsa materialet hetimore në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së kryeqyteti për hetime të mëtejshme.