E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja "Baze", prokuroria: Asnjë procedim për Rezart Taçin

Prokuroria nuk do të kërkojë asnjë masë sigurimi në gjykatë për biznesmenin Rezart Taçi, megjithëse ai akuzohet nga gazetari Mero Baze për dhunë fizike. Hetuesit e çështjes thanë për gazetën "Shqip" se nuk kanë prova të mjaftueshme për t‘i kërkuar gjykatës shpalljen në kërkim të Taçit. "Provat që kemi në dispozicion nuk përmbushin elementet për fillimin e një procedimi penal ndaj Rezart Taçit, nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Hetimet janë në vazhdim e sipër dhe po presim ekspertizën mjekoligjore për dëmtimin e gazetarit Mero Baze", thanë burimet nga grupi hetimor, i cili ka marrë në pyetje edhe dy badigardët e ndaluar nga policia për dhunën e ushtruar nga Baze. Sipas të dhënave, truprojat e Taçit kanë mohuar të kenë pasur një konflikt apo kanë goditur personin që i ka denoncuar. Sipas prokurorisë, të gjitha provat e grumbulluara nga policia do t‘i serviren gjykatës, e cila do të vendosë nëse dy truprojat e Taçit, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo duhet të qëndrojnë në burg apo do të hetohen në liri, pasi ngjarja mund të konsiderohet si "rrahje" dhe çështja mund të dërgohet në gjykatë, për t‘u zgjidhur në mënyrë administrative.

Hetimet
Ngjarja e së hënës, ku gazetari Mero Baze ka denoncuar në polici dhe prokurori biznesmenin Rezart Taçi dhe badigardët e tij për dhunë fizike, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Veprimet e para hetimore janë realizuar nga prokurori Gjergji Tako, i cili ishte prokurori i gatshëm, ndërsa janë kryesuar nga zv/prokurori i Tiranës, Altin Dumani. Së bashku me hetuesit e policisë së Tiranës, janë bërë veprimet e para hetimore, ku janë marrë deklarimet e personave që ndodheshin në lokalin ku ndodhi agresioni. Deklarimet janë krahasuar me dëshmitë e të ndaluarve, ndërsa prokuroria është munduar të marrë një kontakt me "protagonistin" e këtij sherri, Rezart Taçin. Janë urdhëruar disa oficerë të policisë gjyqësore që ta marrin në pyetje. Ata janë paraqitur për dy ditë me radhë në banesën e biznesmenit, si dhe në kompaninë që drejton. Por, të afërmit dhe vartësit e tij nuk kishin asnjë dijeni mbi vendndodhjen e Rezart Taçit. Më pas, hetuesit kanë arritur të marrin dy numrat e telefonit të biznesmenit, të cilët kanë rezultuar të fikur. Në këto kushte, zyrtarët e akuzës së kryeqytetit kanë vendosur pasditen e djeshme që të mos i kërkojnë gjykatës asnjë masë shtrënguese, pasi nuk është provuar që biznesmeni i hidrokarbureve të ketë konsumuar elementet e veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës".

Kërkimi
Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se shpallja në kërkim e Rezart Taçit është një masë disiplinore dhe procedurale, por nuk ka të bëjë me faktimin e akuzave ndaj tij. Megjithëse policia deklaroi se ka ndaluar Bledar Lilon dhe Irgen Selfon, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me Rezart Taçin, 38 vjeç, në ambientet e brendshme të një lokali në rrugën "Brigada 8" në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Baze, prokuroria deklaron se për biznesmenin nuk është prerë ndonjë fletarresti. "Shtetasi Rezart Taçi nuk është njohur me procedimin penal që ka filluar në Prokurorinë e Tiranës, pas denoncimit të gazetarit Mero Baze. Ai nuk ka dhënë ndonjë version të ngjarjes, pasi nuk është gjetur në ambientet e banimit dhe nuk mund t‘i kërkojmë gjykatës ndonjë masë shtrëngimi", deklaron akuza.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›