E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Ndarja e Kosovës,një halucinacion i Serbisë

 

Ndarja e Kosovës është vetëm halucinacion i Beogradit zyrtar. Kështu e ka komentuar Presidenti i vendit, Bamir Topi, idenë e hedhur nga homologu i tij serb, Boris Tadiç, për një ndarje të shtetit më të ri, Kosovës. Në një intervistë të dhënë për Radio Televizionin e Kosovës, kreu i shtetit shqiptar deklaroi se nuk ka skenarë të tillë për ndarje të Kosovës. “Ky është vetëm një halucinacion. Nuk mund të ketë skenarë të tillë. Të japësh ide për hapa të mëdha retrograde që do të prishnin çdo lloj balance, jo thjesht evropiane, por edhe më gjerë, do të thotë që të hedhësh teza që s’kanë asnjë lloj shansi, do të thotë që të hedhësh teza që s’kanë asnjë lloj vizioni. Unë mendoj që këto janë në sensin e asaj që ju thashë pak më parë, për konsum të politikës së brendshme dhe asgjë më shumë”, deklaroi Topi. Sipas kreut të shtetit, kjo betejë e serbëve në arenën ndërkombëtare është e humbur. “Nisur edhe nga disa sondazhe që janë bërë në shoqërinë serbe, të azhurnuara jo më larg se sa dita e djeshme, vetëm 8 për qind e shoqërisë serbe e quan si problem të rëndësishëm çështjen e kthimit te Kosova, çka do të thotë që edhe vetë shoqëria e sotme, 95 për qind e saj heq dorë në mënyrë natyrale, të vullnetshme, nga një çështje e cila sot zhvillohet në një plan tjetër”, thekson Topi. Presidenti shqiptar ka theksuar se po lobohet me shtete të tjera për të realizuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, si nga vendet islamike dhe të Amerikës Latine. “Ne kemi një realitet ku Kosova vërtet njihet nga 47 vende, por shumica e këtyre vendeve janë vendet më të rëndësishme të globit. Nga ana tjetër, kjo duhet t’i bëjë të gjithë, qoftë strukturat e institucioneve në Kosovë, qoftë në Shqipëri, por edhe miqtë tanë, që të intensifikojnë patjetër aktivitetin diplomatik, në mënyrë që Kosova të njihet edhe nga shumë shtete të tjera dhe unë besoj që ky aktivitet po vazhdon”, theksoi Topi. Marrëdhëniet me vendet e rajonit, kreu i shtetit i cilëson të mira, ndërsa me Serbinë thekson se ato mund të përmirësohen pas arritjes së stabilitetit politik atje. Kreu i shtetit shqiptar ka bërë të ditur gjithashtu, se në muajin nëntor do të ketë një vizitë zyrtare të Presidentit Sejdiu në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›